Foto: Albin Kurti , "X"

Kurti në veri: E ardhmja e vendit është përgjegjësi e të gjithëve

Kryeministri, Albin Kurti ka vizituar komunat në veri të Kosovës përfshirë vendin ku u vra polici Afrim Bunjaku më 24.09.2023 gjatë sulmit terrorist në Banjskë.

Në platformën “X”, Kurti ka thënë se e ardhmja e vendit është e drejtë dhe përgjegjësi e të gjithëve.

“Sot vizitova katër komunat veriore me shumicë serbe, përfshirë vendin ku u vra polici ynë Afrim Bunjaku nga forcat paramilitare serbe shtatorin e kaluar. E ardhmja e vendit tonë është e drejtë dhe përgjegjësi e të gjithëve dhe së bashku do të punojmë për një të nesërme të ndritshme”- u shpreh Kurti.

 

Ai ka marrë pjesë edhe në përurimin e pllakës përkujtimore për heroin Enver Zymeri, në vendin ku ai u vra në Zubin Potok më 26.07.2011.

Të pranishëm në zbulimin e kësaj pllake ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi si dhe familjarë të heroit.

Për këtë vizitë ka reaguar Lista Serbe (LS), e cila ka thënë se “Kurti ka dashur të provokojë reagimin e popullit serb e të paraqitet si viktimë, për të fituar disa pikë politike më shumë apo vota për zgjedhjet e ardhshme”.

“Parakalimi i Albin Kurtit me dhjetëra automjete dhe 100 forca speciale shqiptare të armatosur deri në dhëmbë në veri të Kosovës shqetësoi serbët në Kosovë të cilët e panë me neveri këtë shfaqje” – ka shkruar Lista Serbe.

Partia më e madhe serbe në Kosovë ka këkruar nga organizatat ndërkombëtare që të reagojnë “ndaj këtij provokimi të dukshëm dhe të kërkojnë që populli i tyre të ndalojë shtypjen e popullit serb, i cili këtë herë ka treguar përmbajtje dhe tolerancë të jashtëzakonshme”.

Kurti realizon një vizitë në veri të Kosovës, Lista Serbe e quan provokim