Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti për projektligjin për Byronë Shtetërore: Nuk do të ekzistojë parulla 'Rroga e vogël, fitimi i madh'

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hapur diskutimin për projektligjin për Byronë Shtetërore dhe ka thënë se nëpërmjet tij nuk do të ekzistojë parulla “Rroga e vogël, fitimi i madh”.

Ai tha se në hartimin e këtij projektligji kanë marrë pjesë ekspretë dhe njohës ndërkombëtar si dhe gjykatës e prokurorë.

“Nëpërmjet këtij projektligji nuk do të dominojë më parulla ironike “Rroga e vogël, fitimi i madh”. Hartimi i këtij projektligji është bërë në bashkëpunim me ekspertë dhe njohës ndërkombëtarë të fushës krahas përfaqëuesve të duhur institucional, ekspertëve të pavarur dhe shoqërisë civile”, ka thënë Kurti.

“Në hartim janë përfshirë edhe gjykatës dhe prokurorë të cilët drejtpërdrejtë interpretojnë dhe zbatojnë ligjin Projektligji është shumë i qartë dhe nuk cenon pavarësinë e pushteteve”, shtoi ai.

Kurti gjithashtu tha se për më shumë se dy dekada në Kosovë ka sunduar paligjshmëria dhe se ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit janë pasuruar duke keqpërdorur taksat e qytetarëve.

“Ka vite që jemi pajtuar të gjithë që korrupsioni ka qenë i lartë dhe i koncentruar te zyrtarët e lartë të qeverisë dhe jo vetëm. Në Kosovë për më shumë se dy dekada ka sunduar paligjshmëria. Ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetin janë pasuruar duke keqpërdorur taksat e qytetarëve. Byroja Shtetërore do të jetë në funksion të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar që i mundëson konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme “, deklaroi ai.

Kurti po ashtu theksoi se ky ligj përcakton kthimin e pasurisë tek pronari legjitim dhe juridik që sipas tij është Republika e Kosovës

“Byroja si një agjenci shtetërore e themeluar me ligj nga Kuvendi është e pavarur në verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publik dhe të ekspozuarve politik. Ky ligj përcakton kthimin e pasurisë tek pronari legjitim dhe juridik që është Republika e Kosovës”, theksoi ai.