Foto: Albin Kurti, Facebook

Kurti: Derisa në ushtrinë serbe gjenim ushtarë rusë, në UÇK kishte ushtarë nga Europa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 25 vjetorin e Betejës së Koshares ka thënë se lufta për shembjen e kufirit kishte rëndësi sa strategjike e operative aq edhe historike e kombëtare.

Në seancën solemne, më 04.04.2024, Kurti ka thënë se në luftimet e kësaj beteje janë përfshirë luftëtarë nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë.

“Në mes të këtij viti do të përmbushet një çerek shekulli kur vendi ynë u çlirua nga regjimi kriminal i Beogradit. Sot, në vigjilje të përvjetorit të 25- të Betejës së Koshares le ta kujtojmë me nderimet e merituara këtë betejë dhe luftëtarët e saj. Në orët e hershme të datës 9 prill 1999 ushtarët e UÇK-së i sulmuan pozicionet dhe bazat e ushtrisë jugosllave. Lufta për shembjen e kufirit kishte rëndësi sa strategjike e operative aq edhe historike e kombëtare. Kur e vizitojmë kompleksin memorial- Beteja e Koshares, e gjejmë edhe Agim Ramadanin nga Zhegra e Gjilanit edhe Sali Çekajn nga Peja”- ka thënë ai.

Kurti tutje ka përkujtuar se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kishte ushtarë nga Evropa.

“Meqë Beteja e Koshares ishte një luftë e betejës për liri gjejmë dëshmorë edhe nga Italia, Franca e Algjeria. Derisa nga radhët e ushtrisë serbe gjenim ushtarë rusë, në radhët e ushtrisë së UÇK-së gjenim ushtarë nga Evropa dhe jo vetëm”- ka thënë ai.