Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së distancohet nga aktiviteti për Izraelin që u mbajt në Rektorat
Pothuajse një javë pasi në Universitetin e Prishtinës u mbajt prezantimi i antologjisë që përmbledh rrëfime personale dhe tragjike nga ngjarjet e 7 tetorit 2023 në Izrael, ka reaguar Altin Sahiti, kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së.
UP më 23.05.2025 njoftoi se redaktorja Netta Gurevitch dhe ilustruesja Danielle Peleg dhanë detaje për antologjinë “Dita kur gjithçka ndryshoi: Dhjetë histori nga 7 tetori” dhe kjo ngjalli reagime të shumta nga njerëz që e kritikuan UP-në për organizimin e kësaj ngjarjeje dhe e mbështetën Palestinën.
Sahiti në emër të Këshillit Drejtues të UP-së është distancuar nga kjo ngjarje, duke thënë se distancohet nga përfshirja e Universitetit në çështje të ndjeshme dhe politike që tejkalojnë misionin e tyre akademik dhe shoqëror.
Sipas Sahitit, UP është institucion i dijes, i kërkimit shkencor dhe i formimit të mendimit kritik dhe duhet të shërbejë si hapësirë për diskutim kritik e kërkim objektiv, por nuk mund të shndërrohet në platformë për promovimin jokritik të narrativave politike të asnjë pale në konflikte ndërkombëtare.
“Kosova dhe populli i saj kanë përjetuar drejtpërdrejt pasojat e persekutimit dhe dhunës sistematike, luftës dhe masakrave, viktimë e pashmangshme dhe e drejtpërdrejt ka qenë edhe vetë universiteti, stafi e studentët e tij dhe dija në përgjithësi. Prandaj, është e papranueshme që në hapësirat qendrore akademike të Republikës sonë të promovohen qëndrime që qoftë edhe në dukje mbështesin ose justifikojnë veprime të ngjashme ndaj civilëve, të cilësdo palë ose më saktësisht të asnjë pale, dhe kudo që ato ndodhin” – ka shkruar Sahiti në Facebook.
Sahiti ka theksuar se çdo përpjekje për ta vendosur UP-në në qendër të polemikave politike, ideologjike apo propagandistike, është në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky institucion dhe vlerave të cilave u shërben dhe i aspiron.
“Ne refuzojmë në mënyrë kategorike të pranojmë sulmin ndaj civilëve, njësoj siç nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj vuajtjeve të popujve të tjerë, veçanërisht kur ato përkujtojnë plagët tona të hapura” – ka shtuar Sahiti.
Sahiti ka thënë se si Këshill Drejtues i UP-së do të angazhohen për të siguruar që integriteti akademik dhe misioni human i Universitetit të mbesin të pacenuara dhe larg çdo ndikimi që nuk ka të bëjë me edukimin, shkencën dhe përparimin shoqëror.
Promovimi i antologjisë “Dita kur gjithçka ndryshoi: Dhjetë histori nga 7 tetori” u bë në sallën e Senatit të Rektoratit të UP-së, më 20.05.2025.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe menaxhmenti i udhëhequr nga rektori Arben Hajrullahu si Rozafa Basha, prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe Avni Hajdari, prorektori për shkencë, të cilët e kanë mirëpritur ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, që ishte e pranishme në promovimin e antologjisë.
Më 07.10.2023, lufta në Gazë nisi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1,200 persona, kryesisht civilë, dhe duke marrë peng 251 të tjerë. Pjesëtarët e Hamasit janë ende duke i mbajtur dhjetëra pengje, ndërsa shumë të tjerë janë liruar në kuadër të marrëveshjeve për armëpushim dhe të tjera.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit, e cila ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, ka vrarë mbi 55,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve në llogaritjet e saj.