Kryen vjedhje nëpër shtëpi të bashkatdhetarëve në Ferizaj, arrestohen 3 persona

Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt në koordinim me Prokurorinë Themelore të Ferizajt ka identifikuar dhe arrestuar tre persona të dyshuar, të cilët në grup kishin kryer disa vjedhje, kryesisht në shtëpi të bashkatdhetarëve.

Forcat e rendit përmes një komunikate kanë bërë të ditur se arrestimi erdhi pas një hetimi të gjatë, që nga muaji prill i këtij viti, duke përdorur masa të fshehta të përgjimeve dhe vëzhgimeve.

“Fillimisht me datën 29.12.2023, rreth orës 17:20, hetuesit rajonal kanë arrestuar të dyshuarin A.XH (M/K) i moshës 23 vjeçar, ndërsa sot, datë 30.12.2023 rreth orës 07:00 janë arrestuar edhe dy të dyshuar tjerë, P.K (M/K) i moshës 36 vjeçar dhe A.K ( M/K) i moshës 30 vjeçar, me dyshimin se kanë kryer disa vjedhje të rënda në disa shtëpi të banimit ( kryesisht shtëpi të bashkatdhetarëve) dhe në disa biznese në qytetin e Ferizajt, duke përfshirë këtu fshatrat: Greme, Varosh, Dardani, Sazli dhe në lagjen ‘’Panorama’’ në Ferizaj” – thuhet në komunikatë.

Të dyshuarit, sipas policisë, janë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe pas intervistimit të tyre nga hetuesit rajonal, në prani edhe të avokatëve mbrojtës, me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.

Ndërsa si prova materiale janë sekuestruar:- 3 vetura, – 1 armë zjarri ,pushkë automatike, – 3 armë zjarri ( pistoleta), – Sasi e municionit, – 1 dron, – 3 palë dylbi, – 3 radiolidhje dhe disa bateri dore që ndërlidhen me rastin e vjedhjeve të rënda.

Më tej theksohet se Sektori Rajonal i Hetimeve se në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj do të zgjerojë hetimet në lidhje me rastet e vjedhjeve të rënda që kanë ndodhur në rajonin e Ferizajt dhe për informata tjera do të njoftoheni me kohë.