Kryeministri Starmer dhe presidenti Xi takohen në Pekin më 29.01.2026. Burimi: Presidenca kineze
Kryeministri britanik sheh “mundësi të mëdha” në Pekin
Kryeministri Keir Starmer është takuar të enjten (29.01.2026) me presidentin e Kinës, Xi Jinping, derisa po mundohet t’i promovojë marrëdhëniet biznesore me ekonominë e dytë më të madhe të botës, raporton gazeta “The New York Times”.
Presidenti Xi dhe kryeministri Starmer u takuan në Pekin, duke krijuar terrenin që dy vendet të ripërcaktojnë marrëdhëniet në kohën kur raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre europianë janë tronditur nga mosmarrëveshjet mbi sigurinë dhe tregtinë.
Starmer, lideri i parë britanik që viziton Kinën që nga Theresa May më 2018, ka kërkuar të riangazhohet me Pekinin me shpresën për ringjalljen e ekonomisë së dobët të Britanisë. Ai ka udhëtuar me një delegacion të madh biznesi që përfshinte drejtues nga sektorët bankar, farmaceutik dhe i automobilave.
Starmer, politikan i Partisë Laburiste, duke vënë theksin te biznesi dhe jo te siguria dhe të drejtat e njeriut, po shmanget nga linja e ndjekur për vite me radhë nga kryeministra të njëpasnjëshëm të Partisë Konservatore. “Për vite me radhë, qasja jonë ndaj Kinës ka qenë e ndjekur nga mospërputhshmëria — duke kaluar nga Epoka e Artë në Epokën e Akullit”, ka deklaruar Starmer në një njoftim zyrtar për vizitën. “Por, na pëlqen apo jo, Kina ka rëndësi për Mbretërinë e Bashkuar”.
“Është në interesin tonë kombëtar të angazhohemi me Kinën”, u tha Starmer gazetarëve të mërkurën pas mbërritjes në Pekin. “Ka mundësi të mëdha për t’u shfrytëzuar”.
Starmer po përpiqet të tërheqë Pekinin pa provokuar zemërimin e Presidentit Trump. Udhëtimi i tij vjen vetëm disa ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi se do të vendoste tarifa 100 % ndaj Kanadasë nëse kryeministri Mark Carney do të arrinte marrëveshje tregtare me Pekinin. Nuk ka asnjë tregues se një marrëveshje e tillë është në proces, megjithëse Carney gjatë një vizite në Pekin më herët këtë muaj e ka pranuar t’i ulë tarifat e importit për disa automjete elektrike kineze.
Tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Europës janë rritur gjithashtu për shkak të kërcënimeve të presidentit Trump për ta marrë Grenlandën, e cila i përket Danimarkës, anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) të prirë nga SHBA-ja. Më herët këtë muaj, Trump kërcënoi të vendoste tarifa ndaj Britanisë dhe vendeve të tjera europiane, nëse Grenlanda nuk do t’i shitej Shteteve të Bashkuara. Që atëherë, ai është tërhequr nga këto kërcënime.
Për presidentin Xi, udhëtimi i Starmerit është më i fundit në një valë vizitash nga udhëheqës perëndimorë, të cilat Pekini i ka paraqitur si dëshmi se, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, Kina është fuqi globale e qëndrueshme së cilës mund t’i besohet. Megjithatë, pas dyerve të mbyllura, Kina është tronditur nga një prej skandaleve më të mëdha politike të viteve të fundit, pas shkarkimit të gjeneralit të saj më të lartë, Zhang Youxia.
Xi ka mbajtur qëndrim “të zakonshëm pune” të hënën, ndërsa priti kryeministrin e Finlandës, Petteri Orpo. Në dhjetor, ai priti presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe pas rreth një muaji pritet që kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, të udhëtojë drejt Kinës.
“Një numër gjithnjë e më i madh figurash largpamëse në Perëndim kanë filluar të kuptojnë se ndjekja verbërisht e një hegjemonie të vetme dhe shkëputja e lidhjeve globale në fund të fundit minojnë zhvillimin dhe prosperitetin e vetë vendeve të tyre”, thuhej të mërkurën në një editorial të “Global Timesit”, gazetë e Partisë Komuniste.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com