Janez Jansha. Foto: Facebook

Parlamenti i Sllovenisë miraton qeverinë e qendrës së djathtë të Janez Jansha

Parlamenti i Sllovenisë ka miratuar qeverinë e qendrës së djathtë të kryeministrit Janez Jansha, i cili është zotuar për ulje taksash, shpenzime të planifikuara dhe fushatë kundër korrupsionit, raporton Reuters.

Janez Jansha, politikan populist pro presidentit Trump që siguroi mandatin e katërt pas zgjedhjeve të papërfunduara të marsit, tha se kabineti do të përfaqësonte të gjithë vendin, me ministra të zgjedhur nga gjenerata të ndryshme dhe nga mbarë Sllovenia.

Sllovenia ishte udhëhequr gjatë katër viteve të fundit nga qeveria liberale e Robert Golobit, i cili i fitoi ngushtë zgjedhjet, por nuk ia doli të formonte koalicion shumice.

Deputetët mbështetën kabinetin prej 15 anëtarësh me 49 vota pro dhe 30 kundër. Shumica e ministrave vijnë nga partia SDS e Janshës, me të tjerë nga partnerët e koalicionit NSi, Demokratët dhe Focus. Partia SLS, partneri i pestë, nuk mori asnjë post ministror. Koalicioni pesë partiak ka 43 mandate në parlamentin me 90 vende dhe mbështetet gjithashtu nga partia e krahut të djathtë Resnica, e cila nuk është zyrtarisht pjesë e qeverisë. Deputetët që përfaqësojnë pakicat kombëtare gjithashtu mbështetën kabinetin.

Në fjalimin e tij në parlament, Jansha ka vlerësuar ministrat si drejtues me përvojë dhe u zotua ta ulë atë që e quajti “taksë rekorde” dhe burokraci të madhe krahasuar me vendet e tjera europiane. Ai gjithashtu u zotua ta luftojë korrupsionin dhe t’u delegojë më shumë kompetenca komunave.

Jansha ka deklaruar se do t’i ftojë partitë opozitare javën e ardhshme të bashkohen për partneritet për ta ndihmuar hartimin e legjislacionit kyç.

Analistët thonë se qeveria e Janshës ka të ngjarë ta zhvendosë politikën e jashtme nga administrata e mëparshme, e cila njohu shtetin palestinez dhe vendosi ndalime udhëtimi për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe dy prej ministrave të tij të ekstremit të djathtë.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com