Kurti në takim me Bordin e KEK-ut

Kriza energjetike, Kurti dhe Rizvanolli takohen me Bordin e KEK-ut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli janë takuar sot me Bordin e KEK-ut të kryesuar nga Skender Haziri, si dhe me kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrje, Nagip Krasniqin.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, temat e këtij takimi ishin rëndësia e punës së KEK – ut, sidomos gjatë krizës energjetike, si dhe sfidat me të cilat kjo ndërmarrje po ballafaqohet.

“Infrastruktura dhe teknologjia e vjetër e termocentraleve vazhdojnë të mbeten sfidat kryesore. Përkundër kësaj, Bordi i Drejtorëve e njoftoi kryeministrin Kurti rreth masave dhe përgatitjeve, që KEK-u ka bërë për periudhën e dimrit” – thuhet në njoftim.

Tutje, sipas komunikatës, kryeministri Kurti ka thënë se ky dimër përballë krizës globale energjetike, do të varet edhe nga optimizimi i kapaciteteve prodhuese të energjisë së vendit dhe racionalizimi i shpenzimit të energjisë nga ana e institucioneve publike, qytetarëve dhe bizneseve.

Dy ditë më parë, Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se njësia A-4 do të jetë jashtë punës për disa ditë.

Siç njoftoi KEK, kjo do të ndodhë për të sanuar disa probleme teknike.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sonte, dt. 15.10.2022, në ora 24:00 njësia A-4 planifikohet për ndalje me qëllim të sanimit të rrjedhjeve të paraqitura në kalldaj” – njofton KEK.