Konjufca i drejtohet deputetëve të LVV-së: Mos bëni hajgare

Kuvendi i Kosovës po mban vazhdimin e seancës plenare që në rend të ditës janë pikat e papërfunduara në seancat e kaluara.

Votimi në parim i Projektligjit për toka bujqësore dështoi dy herë pasi nuk kishte kuorum për votim.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca për këtë çështje, kritikoi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Sërish nuk kemi kuorum, mazhoranca mos bëni hajgare. Vazhdojmë me projektligje tjera, administrata më thotë se jeni vetëm 60”, ka konstatuar Konjufca.

Më pas deputetët e pozitës konstatuan se janë 61 deputetë në sallë dhe Konjufca solli sërish në votim projektligjin për toka bujqësore.

“Mazhoranca thotë se janë 61, kujdes administrata. Edhe një herë numëroni mirë”, ka thënë Konjufca.

Në seancë u miratuan në parim Projektligji për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për tokën bujqësore, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kimikate dhe Projektligji për Ushqim.

Këto projektligje u votuan vetëm nga partia në pushtet pasi deputetët e opozitës nuk kanë marrë pjesë në votim.

Ndërkaq, projektligji për vetqeverisjen lokale nuk është hedhur në votim për shkak të mungesës së deputetëve serbë.