Dollarë amerikan, Foto: Policia e Kosoves
Konfiskohen 96 mijë dollarë amerikan në Han Elezit, dyshohet se janë të falsifikuara
Të premten, më 29.03.2024 pak para mesnatës, forcat e policisë kanë zhvilluar një aksion në Han të Elezit ku kanë arrestuar një shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Të njëjtit, Policia e Kosovës ia ka konfiskuar 96 mijë dollarë amerikan që dyshohet se janë të falsifikuara.
Sipas forcave të rendit, i dyshuari 100 dollarë amerikan i shiste në treg për 40 euro.
“Pas një pune operative-hetimore, rreth orës 23:00 (29.03.2024) është zhvilluar një operacion policor në Han të Elezit. Paraprakisht ishin siguruar informata konkrete se personi i dyshuar I. D., (viti i lindjes 1970, shtetas i Maqedonisë së Veriut), është duke futur në Kosovë para të falsifikuara, konkretisht dollar amerikan” – thuhet në njoftim.
“I dyshuari është arrestuar në flagrancë nga hetuesit policor gjatë tentimit të tij për të vënë në qarkullim një sasi të madhe të dollarëve amerikan që dyshohet se janë të falsifikuara. I dyshuari 100 $ dollarë të falsifikuara, i shiste për 40 euro” – vijon njoftimi.
Të njëjtit, përveç konfiskimit të 960 copë kartëmonedha nga 100 dollarë, i është konfiskuar edhe një automjet dhe një telefon.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është pjesë e operacionit ndërkombëtar të udhëhequr nga EUROPOL-i për luftimin e dukurisë së prodhimit dhe shpërndarjes së parave të falsifikuara.
Të gjitha veprimet hetimore janë ndërmarr në koordinim me prokurorin nga Prokuroria Speciale e Kosovës. I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Me aktvendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë.