Komandanti i zjarrfikësve: Objekti i djegur nuk kishte masa për mbrojtje nga zjarri

Pas djegies së një depoje me barna në rrugën magjistrale Prishtinë – Ferizaj, komandanti i zjarrfikësve në rajonin e Prishtinës, Malë Gashi tha se ky objekt nuk ka pasur masa mbrojtëse nga zjarri, që sipas tij po ndodh rëndom me objekte të tilla.

“Vlen të ceket se gjithë këto investime që bëhen në këto lloj objekte, këto lloj depo, siç e kemi pas rastin edhe te Parku i Biznesit, sa po shihet, fare nuk ka masa për mbrojtje nga zjarri.” – tha Gashi.

Komandati u bëri apel të gjitha bizneseve, që siç thotë ai po investojnë me mijëra euro, në rend të parë të investojnë në sigurinë për mbrojtje nga zjarri, ashtu siç parashihet me legjislacionin e Kosovës.

“Në rend të parë nuk ki hidranta. Po e shihni tash që na ka mundësu policia këtë shiritin ta përdorim se përndryshe na duhet me shku ose në bazë ose në Llapnasellë atje për me e mbush një kamion me ujë. Ajo të merr kohë për me arrit në vendin e ngjarjes” – shtoi ai.

Kur ekipi i zjarrfikësve ka arritur në vend të ngjarjes, sipas komandantit zjarri ka qenë në fazë shumë të lartë të zhvillimit dhe e gjithë puna është koncentruar që të mos lejohet përhapja e zjarrit në dy objektet përreth saj.

“…sepse ajo që është përfshirë nga zjarri është përfshirë nga zjarri, dëmet janë evidente. Ato nuk mund t’i sanojmë ne si zjarrfikës” – tha Gashi.

Vëllai i pronarit të objektit që u dogj, Shefki Mehmeti ka thënë se dëmi është milionësh. Ky objekt që ka shërbyer si depo për produkte dhe pajisje medicinale, Mehmeti tha se ka qenë i lëshuar me qira.

Një fabrikë për përpunimin e plastikës në Parkun e Biznesit në Drenas ishte djegur më 11.03.2024.

Puna për shuarjen e këtij zjarri kishte zgjatur afër 24 orë.