Vëllai i pronarit të objektit që u dogj thotë se dëmi është milionësh

Vëllai i pronarit të objektit që u dogj në rrugën Prishtinë – Ferizaj, Shefki Mehmeti, tha se vlera e dëmit të shkaktuar në objekt është milionësh.

Ky objekt që ka shërbyer si depo për produkte dhe pajisje medicinale, Mehmeti tha se ka qenë i lëshuar me qira.

“Për objekt muj me t’fol. Milionësh është objekti e për material, çka ka aty, nuk di. Edhe ajo është një shumë e madhe se është kanë i stërngarkuar. Ka pas mjete medicinale” – tha ai.

Përderisa zjarrfikësit po vazhdojnë të punojnë për fikjen totale të zjarrit, ai tha se nuk ka asnjë person të lënduar.

“Ka pas njerëz brenda por kanë dalë. Të lënduar nuk ka asnjë, fati ajo është, për tjerat është kanë e shkrune…” – u shpreh Shefki Mehmeti.

Më tej ai tha se për zjarrin kanë kuptuar rreth orës 9:30, ndërsa shtoi se vëllai i tij, pronar i objektit jeton në Gjermani.

Në ndihmë të zjarrfikësve kanë ardhur edhe ekipe të tjera shtesë.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia e Kosovës, e cila tha se informatën e kanë pranuar rreth orës 10.