Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatet për Asamblenë e Junikut tregojnë prioritetet e tyre

Kandidatet për Asamlenë e Junikut të ftuara në Debat Pernime kanë treguar për prioritetet e tyre që do të shtyjnë përpara nëse do të arrijnë të sigurojnë ulëse në Kuvendin Komunal.

Erleta Qestaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se do të shtyjë përpara tematika që kanë të bëjnë me emërtimin e rrugëve në Junik.

“Unë si asambliste do të punoj që të emërtohen rrugët sepse është shumë e nevojshme për Junikun, mirëmbajtja e rrugëve dhe vazhdimi i muraleve”, u shpreh Qesaj

Në anën tjetër Festina Maloku po ashtu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se do të punojë që të fuqizojë gratë e po ashtu edhe të hap çerdhe në Junik.

“Njërën prej shkollave të vjetra do të punojë që ta shfrytëzojmë një çerdhe ku do të punësohen shumë vajza të Junikut. Po ashtu do të punoj që të krijojmë edhe një bibliotekë për të rinjtë junikas. Kam ardh këtu që me qenë zëri i fermave të Junikut gjithmonë dhe shpresoj që herën tjetër të jetë edhe një femër kandidate për kryetare të Junikut”, tha Maloku.

Ndërkaq Lirjeta Shehu nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se do të punojë që QKMF në Junik të punojë 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.

“Në Junik është vetëm një qendër e mjekësisë familjare. Do të punoj që të punojë 24 orë e 7 ditë në javë. Gjithashtu kam prioritet që të ndërtojmë edhe objekte për kujdesin ndaj të moshuarve”, ka thënë Shehu.

Edhe Vjollca Qestaj nga LDK tha se do të punojë për rininë e për gratë.

“Gjërat që unë i shoh të rëndësishme dhe që do t’i shtyjë është fuqizimi i femrave në vendimmarrje, trajtim të barabartë në komunën time. Do të punojë edhe për rininë, për bursat dhe trajnimet. Do të shtyjë përpara edhe çështje të turizmit dhe të mos shihet vetëm si sezonale por të bëhet edhe si çështje e qëndrueshme edhe pas sezonës. Ne kemi histori e natyrë e kullat të qëndrueshme e pse të mos jetë edhe turizmi i qëndrueshëm”, tha Qestaj.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Junikut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Junikut, Agron Kuçi nga AAK; Besart Tofaj nga LVV dhe Ruzhdi Shehu nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Junikut: Erleta Qestaj dhe Festina Maloku nga AAK; Lirjeta Shehu dhe Vjollca Qestaj nga LDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.