Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi komenton rezultatin e LVV-së në zgjedhjet lokale: Ishte i pritshëm

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, i cili është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, ka thënë se rezultati i partisë të cilën e drejton Albin Kurti në zgjedhjet lokale ishte i pritshëm nëse analizohen disa faktorë.

“Unë mendoj që me marrë me analizu në detaje është rezultat i pritshëm, por duhet me futë shumë variabla për me bind dikë që rezultati në fund që ka dalë është i pritshëm”, tha Bislimi në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës e ka ndihmuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për të fituar në kryeqytet. Ndërsa, tha se Qeveria e vendit do t’i përkrahë komunat.

“Nuk i kemi humbë ne zgjedhjet. Vota është mobilizuar. Merreni shikoni daljen në Prishtinë, është mobilizuar nga strukturat e PDK-së, ato e kanë fituar Prishtinën”, tha Bislimi.

“Ajo çfarë është me rëndësi, kushdo që e ka fituar qytetin e ka mbështetjen e Qeverisë për aq kohë sa janë brenda kornizave ligjore. Nuk do të ketë dallime politike siç ka ndodhur në të kaluarën”, deklaroi ai.

LVV ka fituar vetëm në katër komuna të vendit: në Podujevë, Kamenicë, Shtime dhe Gjilan.