Foto: KALLXO.com

Nis numërimi i votave të diasporës për kryetar të Dragashit

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur numërimi i votave të pranuara nga jashtë Kosovës, të cilat i takojnë përsëritjes së rundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Dragashit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se gjatë periudhës së votimit përmes postës kanë kanë pranuar 381 pako të supozuara me fletëvotime.

“Pas vlerësimit dhe verifikimit brenda këtyre pakove janë konstatuar 696 zarfe të individualizuara me fletëvotime ku prej tyre janë aprovuar 647 ndërsa janë refuzuar 49 për shkak se nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore”, tha ai.

Gjykata Supreme e Kosovës në nëntor ka marrë vendim që të përsëritet procesi i votimit nga jashtë Kosovës në komunën e Dragashit.

Supremja e kishte efuzuar një pjesë të ankesës së kandidiatit të LDK-së për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini që votat me postë të përfshihen në rezultatin final të zgjedhjeve për rundin e dytë për kryetar në Dragash.

Votat nga diaspora për kandidatët për kryetar të Dragashit e kishin përmbysur rezultatin në këtë komunë.

Përderisa me votat e numëruara, rezultatet preliminare e nxirrnin të parin kandidatin e PDK-së, Shaban Shabani, me votat fillestare të diasporës printe kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ia kishte aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe kishte anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune.

Kurse, LDK ishte ankuar në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP lidhur me refuzimin e votave nga diaspora.

Bexhet Xheladini nga LDK-ja kishte marrë 244 vota nga diaspora, kurse ai i PDK-së, Shaban Shabani, nga diaspora i kishte siguruar 54 vota.

Vendimi i Supremes: Përsëritje e votimit me postë për kryetar të Dragashit