Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Disa komuna ende pa drejtorë, disa të tjera me kabinete "gjysmake"

Ndonëse betimin e tyre si kryetarë të komunave e kanë bërë në fillim të dhjetorit 2021, kryetari i Gjilani, Junikut, Kamenicës dhe Istogut, ende nuk e kanë kompletuar kabinetin e tyre qeverisës.

Kryetarët e këtyre komunave deri më tani nuk e kanë bërë publik vendimin për emërimin e personave që do të udhëheqin me drejtorive komunale.

Alban Hyseni, i cili mandatin e kryetarit të Gjilanit e filloi zyrtarisht më 9 dhjetor 2021, në një përgjigje për KALLXO.com tha se vendimi me emrat e drejtorëve do të bëhet publik shumë shpejt.

“I kemi me vendime me krejt veç pritet me u bë publike shumë shpejt. Nuk e di bash kur saktë, i kemi edhe një emër ose dy që jam duke i diskutuar edhe pak me marrë një vendim dhe me u kry”, tha Hyseni.

Në Gjilan, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe sipas kësaj marrëveshje posti i nënkryetari të komunës si dhe katër drejtori pritet të udhëhiqen nga PDK-ja. Drejtoria për Buxhet dhe Financa, ajo e Bujqësisë, Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Drejtoria e Shëndetësisë do të udhëhiqen nga PDK.

Kanë kaluar më shumë se një muaj e gjysmë prej kur Kadri Rahimaj nga LVV është betuar për kryetar të Kamenicës. Rahimaj, i cili garën për të parin e Kamenicës e kishte fituar pas balotazhit të 14 nëntorit kundër Qendron Kastratit të PSD-së, në një prononcim për KALLXO.com tha se tashmë janë në fund të procesit të emërimit të drejtorëve.

“Jemi në fund të procesit të përzgjedhjes dhe emërimit, ku jemi angazhuar me i ofru kuadrot më të mirë që i kemi. Fillimi i shkurtit është koha kur drejtorët fillojnë punën”, ka thënë Rahimaj.

Edhe në Komunën e Junikut nuk është bërë publik vendimi me emrat e drejtorëve të kabinetit të kryetarit të zgjedhur, Ruzhdi Shehu. Por Shehu, i cili është betuar më 6 dhjetor për kryetar të Junikut pasi mundi në balotazh Agron Kuçin e AAK-së.

“Unë emërimin e kam bërë, publike do të bëhet me datë 28. Do ta bëj publike njoftimin në Kuvend Komunal. Krejt drejtorët janë emëruar dhe ka kjo zgjatë për shkak të disa kritereve që janë vendos për përgatitjen profesionale”, ka thënë Shehu.

Ndërsa kryetari i Istogut, Ilir Ferati, ka deklaruar për KALLXO.com se kabineti i tij do të plotësohet në javën e parë të shkurtit.

Kryetarët e komunave me kabinete “gjysmake”

Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Dragashit deri tash kanë vetëm disa drejtorë të emëruar.

Në Prishtinë nga 16 drejtori sa ka aktualisht kjo komunë, janë emëruar 11 drejtorë, derisa ekipi pritet të kompletohet në javët në vazhdim.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, më 19 janar, pas më shumë së një muaj nga betimi i tij si i pari i kryeqytetit, e ka emëruar një pjesë të ekipit të tij të drejtorëve.

Ndërsa kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i cili ka emëruar vetëm pesë drejtorë, theksoi se drejtorët e tjerë do t’i emërojë në javën e ardhshme.

“Pesë drejtorë i kam emëruar dhe kanë mbet edhe tre, të cilët ka mundësi diku të premten e ardhshme me u emëru, kur të përfundojë edhe mbledhja e fundit e Asamblesë”, ka thënë Xheladini.

Xheladini, betimin si kryetar e bëri më 28 dhjetor 2021, pasi Gjykata Supreme  pati marrë vendim që të përsëritet procesi i votimit nga jashtë Kosovës në komunën e Dragashit.

Në Kosovë me 17 tetor 2021 u mbajtën zgjedhjet lokale për kryetar të komunave. Ndërsa me 14 nëntor 2021 u mbajt rundi i dytë i zgjedhjeve në 21 komuna të cilat shkuan në balotazh.

Shumica e kryetarëve të komunave tashmë kanë kompletuar kabinetet e tyre.