Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Raporti i Progresit për zgjedhjet komunale: Pjesëmarrja e grave në jetën politike është e ulët

Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të vitit 2022 për Kosovën, në fushën e demokracisë ka përmendur edhe procesin e  zgjedhjeve komunale që u mbajtën në tetor të vitit 2021.

Në raport është theksuar numri i ulët i pjesëmarrjes së grave në jetën politike në Kosovë.

“Fushata ishte e gjallë dhe një numër i madh garuesish u ofruan votuesve një zgjedhje reale, me përjashtim të komunave serbe të Kosovës, ku konkurrenca politike ishte e kufizuar. Numri shumë i ulët i grave në garat për kryetare komunash, reflekton pjesëmarrjen e ulët politike të grave në Kosovë”- thuhet në raport.

Sipas raportit, subjektet politike duhet të trajtojnë me seriozitet çështjen e pabarazisë gjinore dhe të ndërmarrin veprime afirmative për të kapërcyer pengesat që kufizojnë pjesëmarrjen e grave në jetën politike.

Në këtë drejtim, raporti bën të ditur se nga 14 gra kandidate për kryetare të komunave, vetëm dy u vendosën në bastionet elektorale të partisë së tyre.

“Gjithsej 1 937 gra (37%) kanë kandiduar për ulëse në kuvendet komunale, në përputhje me kuotën gjinore prej 30% për përfshirjen e grave në listat zgjedhore, dhe 36 prej tyre (12%) kryesojnë listat. Pak parti politike e kanë tejkaluar kuotën gjinore prej 30%, dhe për këtë arsye nuk kanë arritur objektivin prej 50% për përfaqësim të paraparë në Ligjin për Barazi Gjinore”- thekson Komisioni Evropian.

Për procesin zgjedhor në tërësi, raporti i progresin vën në pah se vëzhguesit i kanë vlerësuar zgjedhjet si të mirëadministruara dhe se fushata zgjedhore ka qenë e qetë.

“Kosova mbajti zgjedhjet e rregullta për kryetar komune dhe asamble komunale më 17 tetor 2021 në të gjitha 38 komunat, dhe 21 balotazhe për kryetar komunash më 14 nëntor 2021. Zgjedhjet u vlerësuan nga vëzhguesit si të mirëadministruara dhe konkurruese, ndërsa fushata zgjedhore ishte e qetë. Numërimi i votave dhe tabelimi i rezultateve u vlerësuan si transparente, megjithatë procesi ishte i gjatë dhe i dëmtuar nga dobësi të konsiderueshme”- thuhet në raport.

Zgjedhjet komunale të vitit 2021, u zhvilluan në dy raunde. Raundi i parë u mbajt më 17 tetor 2021, ndërsa raundi i dytë u mbajt katër javë më pas, më 14 nëntor 2021.

Sipas raportit të progresit, pjesëmarrja e votuesve në raundin e parë ishte 42,72%, dhe në balotazh 37,08%.

Komisioni Evropian thotë se pothuajse të gjitha rekomandimet e ofruara nga misionet e mëparshme të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së, mbeten të pa adresuara. Më tej, theksohet se, partitë politike duhet të përmbushin angazhimin e tyre dhe të marrin pjesë në komisioni ad hoc për të adresuar të gjitha rekomandimet nga misionet ekspert të BE-së.

“Korniza ligjore për zgjedhjet mbetet e pandryshuar që nga viti 2010. Kosova duhet të adresojë të gjitha mangësitë dhe dispozitat kontradiktore në ligj. Pothuajse të gjitha rekomandimet e ofruara nga misionet e mëparshme të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së mbeten të pa adresuara, kryesisht për shkak të shpeshtësisë së parakohshme parlamentare. Partitë politike duhet të përmbushin angazhimin e tyre dhe të marrin pjesë aktive në komitetin ad hoc për të adresuar të gjitha rekomandimet nga misionet e njëpasnjëshme vëzhguese dhe eksperte të BE-së në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente”- rekomandin komisioni.

Në garën e 17 tetorit për të udhëhequr njërën nga Komunat e Kosovës, asnjëra nga kandidatet gra, nuk ka arritur votat e nevojshme që të qeverisë në katër vitet e ardhshme. Ndërsa në balotazh, ka arritur të futet vetëm Mimoza Kusari – Lila, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në Zgjedhjet Lokale, partitë politike iu kanë besuar kandidaturën mbi 160 burrave, kurse gra kanë qenë vetëm 10.

Listës së kandidaturave të grave i prijnë PDK dhe LDK që kanë garuar me nga tri kandidate për komuna të ndryshme, pasuar me Lëvizjen Vetëvendosje me dy kandidate dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me një kandidate.

Gratë në garë për kryetare të komunave

Asnjë kandidate grua nuk ka marr votat e mjaftueshme për kryetare të Komunës