Lumir Abdixhiku dhe Bexhet Xheladini - LDK Foto: Facebook

Abdixhiku i gëzohet fitores në Dragash: LDK do të udhëheqë me tetë komuna

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot për herë të tretë kësaj partie iu konfirmua fitorja në komunën e Dragashit.

Abdixhku ka shtuar se LDK-ja e përfundoi ciklin e zgjatur të zgjedhjeve lokale me tetë komuna të fituara.

“Sot, për herë të tretë, u konfirmua fitorja jonë në komunën e Dragashit. Votimi i 17 tetorit, i 14 nëntorit dhe rivotimi i mërgatës i finalizuar sonte me 14 dhjetor, rikonfirmuan tri herë radhazi mbështetjen e qartë për kandidatin tonë, Dr. Bexhet Xheladini”, ka shkruar ai në Facebook.

“Tendencat e vendimeve skandaloze për fitore në tavolinë, ishin korrigjuar nga Supremja pas ankimimit të LDK-së. Ishim të bindur, sikurse herën e parë e të dytë, se zëri i votuesve me postë ishte i drejtë, i pastër dhe bindës; dhe se këtë zë e këtë vullnet s’mund ta ndryshonte asnjëri. Sonte vullneti qytetar u mbajt në vend”, ka shtuar kryetari i LDK.

Kreu i LDK ka shtuar se kandidati Bexhet Xheladini i bashkohet shtatë kryetarëve të tjerë “në misionin e shërbimit të drejtë e të mbarë për të gjithë qytetarët pa dallim”.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i ka marrë 470 vota nga jashtë Kosovës, të cilat i takojnë përsëritjes së rundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Dragashit, duke fituar zgjedhjet në këtë komunë.

Kurse, kandidati i PDK-së, Shaban Shabani i ka marrë 177 vota.

Nga këto rezultatet rezulton se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini që në tërësi i ka marrë 6,071 vota, ndërkaq kandidati i PDK-së, Shaban Shabani ka marrë në total 5,825 vota.

Gjykata Supreme e Kosovës në nëntor ka marrë vendim që të përsëritet procesi i votimit nga jashtë Kosovës në komunën e Dragashit.

LDK-ja fiton Dragashin