Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu kujton fjalët e Martti Ahtisaari-t në kohën e bisedimeve për pavarësinë e Kosovës

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu përmes një komunikate për media ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e ish-presidentit të Finlandës si dhe hartuesin e planit për pavarësinë e Kosovës, Martti Ahtisaari, duke e quajtur si Kolos të politikës dhe diplomacisë kulmore botërore.

Ish-presidenti Sejdiu e ka kujtuar ish-presidentin e Finlandës nga takimet me të si Emisar Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në procesin e bisedimeve në Vjenë më 2006-2007, në të cilat ai kishte luajtur rol kyç për pavarësinë e Kosovës.

Sipas Ish-presidentit Sejdiu, ai përveç që kishte udhëhequr suksesshëm vendin e tij, po ashtu ishte dalluar me rolin e tij si i deleguar special në misione të ndryshme ndërkombëtare.

“I veçantë ka qenë edhe angazhimi lidhur me Kosovën në takimet me Millosheviqin. I qartë, i prerë dhe pa dilemë, sikur edhe misionarët amerikanë Ollbrajt, Hollbruck dhe Komandanti i NATO-së Wesley K. Clark. Millosheviqit i kishte treguar se ai duhet të heqë dorë nga dhuna dhe terrori në Kosovë, në të kundërtën do të bartë pasoja të rënda ai dhe vendi i tij”, thuhet në komunikatën e ish-presidentit Sejdiu.

Më tej, ish-presidenti ka vazhduar të përmend kontributet e Martti Ahtisaarit, i cili bashkë me ekipën e tij më 1 mars të vitit 2006 kishte ardhur për pak ditë në Prishtinë.

Në këtë takim, ish-presidenti Ahtisaari kishte shtruar idenë e tij që e kishte menduar për ta përmbyllur procesin e bisedimeve në afat optimal.

“Në takim shtrova qëllimet themelore që i kishim si vend dhe si popull, duke filluar nga realizimi i plotë i lirisë së Kosovës me pavarësinë, përkatësisht bërjen shtet i pavarur dhe sovran, si dhe zotimin tonë për ndërtimin e një Kosove të pavarur që do të jetë garant i respektimit të të drejtave dhe lirive të qytetarëve”, kishte prezantuar ish-presidenti Sejdiu në takim me Ahtisaarin.

Në anën tejtër, ish-presidenti Sejdiu ka kujtuar muajin nëntor të vitit 2005 kohë kjo në të cilën Delegacioni i Kosovës kishte miratuar Dokumentin për Martti Ahtisaarin, Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Statusin final të Kosovës.

Sipas ish-presidentit Sejdiu, në këtë dokument janë shprehur që në fillim “Qëndrimet e Delegacionit të Kosovës të mbështetura në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Rikonfirmimin e Vullnetit Politik të Popullit të Kosovës shtet të pavarur dhe Sovran, miratuar më 17 Nëntor 2005”.

E që këto qëndrime të Delegacionit të Kosovës, Ahtisaari veçse i kishte të njohura nga takimet e para me Presidentin Ibrahim Rugova.

Ahtisaarit i ishte dorëzuar edhe një dokument me përgjigje për një varg pyetjesh, ku Kosova kishte shprehur pikëpamjet e saj lidhur me mbrojtjen ligjore të të drejtave, ku ishin dhënë garancitë për mbrojtjen e lirive dhe të të drejtave individuale dhe ato të qytetarëve,

Në vazhdim, ish-presidenti Sejdiu ka kujtuar edhe fjalët me të cilat i ishte drejtuar Ahtisaari, në lidhje me procesin e bisedimeve, proces ky që ai ishte i interesuar të shpejtohej.

“Z. President, unë e kam pranuar këtë angazhim nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së me përkushtimin më të madh, andaj edhe nuk kam kohë për të humbur. Qëllimi im është që të përfundojmë këtë proces si duhet”, i kishte thënë Ahtisaari ish-presidentit Sejdiu.

Pëvreç këtyre fjalëve Sejdiu, ka kujtuar edhe të tjera si “Jam i bindur se edhe ju do t’ia dilni…”, të cilat sipas tij paraqitnin një mbështetje të madhe për popullin dhe vendin që kish hyrë dhe po bënte hapat final për pavarësinë. 

Dhe si përfundim, Sejdiu ka theksuar se ia kanë dalur me këtë mbështetje të dhënë nga Ahtisaari që ta shpallin pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt, 2008.

“Ngushëllime për familjen, popullin finlandez, për miqtë, por edhe vendin tim, Kosovën. Ju faleminderit përjetësisht, President Ahtisaari!”, ka shprehur ngushëllimet e tij ish-presidenti Sejdiu.

Përveç ish-presidentit Sejdiu, për vdekjen e Ahtisaarit ka reaguar edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Osmani ka potencuar se Ahtisaari ka skalitur kornizën e shtetit të Kosovës dhe se emri i tij do mbetet në historinë e saj.

Ahtisaari ka qenë i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, i ngarkuar për organizimin e negociatave të procesit të statusit të Kosovës. Mbi planin që ai hartoi, u shpall edhe pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008.

Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, ka vdekur në moshën 86-vjeçare në Helsinki, njoftoi Presidenca finlandeze.