Sot 16 vjet më parë SHBA-ja e njohu pavarësinë e Kosovës

Sot janë bërë 16 vjet kur Presidenti i atëhershëm amerikan, George W. Bush doli në konferencë për shtyp dhe njoftoi se SHBA-ja e njeh pavarësinë e Kosovës.

Më këtë rast, ambasada amerikane në Kosovë, ka ripublikuar deklaratën e ish-presidentit Bush për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur pasi shpalli pavarësinë më 17.02.2008

“16 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Në deklaratën e Sekretares së atëhershme të Shtetit Condoleezza Rice thuhej se presidenti Bush iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Vendosja e këtyre marrëdhënieve do të riafirmojë lidhjet e veçanta të miqësisë që kanë lidhur së bashku njerëzit e Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”- thuhet në postimin e ambasadës amerikane të publikuar më 18.02.2004 në rrjetin social “Facebook”.

Kosova e ka shpallur pavarësinë më 17.02.2008. SHBA-ja e ka njohur Kosovën një ditë pas shpalljes së pavarësisë.

Kjo ishte njohja më e rëndësishme për shtetin më të ri në botë.

Teksa po atë ditë, 17 shkurt 2008, njohja e parë erdhi nga  Kostarika.

Në listën e njohjeve, shtetet e tjera që më 18 shkurt 2008 e njohën Kosovën pas SHBA-së ishin Franca, Shqipëria, Turqia, Britania dhe Afganistani.

Kosova sot numëron 117 shtete të botës që e kanë njohur pavarësinë e saj. Janë pesë shtete anëtare të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e shtetit kosovar; Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Njohja e fundit është bërë më 01.02.2021 nga Izraeli.