Foto: Presidenca e Finlandës

Vjosa Osmani: Emri i Martti Ahtisaarit do mbetet përherë në historinë e Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me vdekjen e ish-presidentit të Finlandës si dhe hartuesin e planit për pavarësinë e Kosovës, Martti Ahtisaari, duke e konsideruar si një figurë madhështore globale.

Osmani potencoi se Ahtisaari skaliti kornizën e shtetit tonë dhe se emri i tij do mbetet në historinë e Kosovës.

“Sot iku nga kjo botë një figurë madhështore e skenës globale politike, kryenegaciatori për statusin e Kosovës, ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari. Presidenti Ahtisaari ishte njeriu që tërë jetën e tij ia kushtoi paqes, diplomacisë dhe të mirës për njerëzimin dhe që pati ndikim të jashtëzakonshëm për të tashmen dhe të ardhmen tonë! Ai skaliti kornizën e shtetit tonë, teksa emri i tij do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës. Paqebërësi dhe vizionari do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës!”- është shprehur Presidentja Osmani.

Ahtisaari ka qenë i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, i ngarkuar për organizimin e negociatave të procesit të statusit të Kosovës. Mbi planin që ai hartoi, u shpall edhe pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008.

Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, ka vdekur në moshën 86-vjeçare në Helsinki, njoftoi Presidenca finlandeze.

Vdes Maarti Ahtisaari