Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kujtimet e ngrohta në motin e ftohtë - Rrëfimet për lindjen e shtetit

Më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shënoi një moment historik në rrugën e saj drejt pavarësisë. Pas përpjekjeve të vazhdueshme për lirinë dhe pavarësinë, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e saj, duke filluar një kapitull të ri në historinë e saj.

Disa njerëz këtë ditë e përjetuan përmes emocioneve që përçoheshin nga televizori. E, disa akti i shpalljes së Pavarësisë i zuri nëpër sheshet e Kosovës duke kremtuar me këngë e me valle. Të tjerët, ishin në punë edhe atë ditë, gjë që bëri ta jetojnë më fuqishëm shpalljen e Pavarësisë së shtetit më të ri në Evropë.

Përgatitjet për të kremtuar këtë datë të rëndësishme filluan herët, por lajmi u dha në publik tek në ditën e shpalljes së Pavarësisë për mos t’u harruar asnjëherë kujtimet që la ajo ditë në kujtesën e secilit që sado pak ose shumë u angazhuan që 17 shkurti (2008) i ftohtë të përjetohej ngrohtë.

“Populli e di datën”

Vitet nuk kanë zbehur aspak përjetimet dhe përkushtimin e punonjësit të Kuvendit të Kosovës, Sali Rexhepit, i cili ishte ngarkuar me punë për të qëndruar prapa administratës që do kujdesej që procedurat do ndiqeshin dhe shteti i ri nuk do dështonte në hapat e parë të vendimmarrjes. 

Rexhepi, drejtor për çështje plenare dhe procedurale në Kuvendin e Kosovës, rrëfen se si filluan përgatitjet për seancën e jashtëzakonshme të së dielës së dytë të shkurtit të ftohtë 16 vjet më parë, që nga fillimi i shkrimit të skenarit deri te akti i shpalljës së Pavarësisë.

Data e mbajtjes së seancës së shpalljes së pavarësisë mbahej si një sekret publik. Atë të diel të ftohtë, mijëra njerëz vërshuan sheshet e qyteteve, madje pa u zyrtarizuar koha dhe agjenda e seancës.

Votimi i shpalljes së Pavarësisë në seancën e jashtëzakonshme më 17.02.2008. Foto nga arkivat.

“Populli e di datën”- përgjigjej kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, në mënyrë evazive, saherë pyetej për të.

 “Ka qenë ditë e diel, rreth orës 11:00 kemi marr një kërkesë të nënshkruar nga ish-kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, që kanë kërkuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme me dy pika të rendit të ditës”- rrëfeu nën emocione Rexhepi në një intervistë për KALLXO.com.

Rexhepi që edhe pak muaj do pensionohet tregon se si në atë kohë në konsultim me Sekretarin dhe Kryetarin e Kuvendit, kishte përgatitur ftesën dhe rendin e ditës, ka ftuar anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare që të marrin pjesë në ora 12:00.

Para se të hyjnë në seancë, Rexhepi ishte perkujdesur të ftojë deputetët, të caktojë vendet e mysafirëve dhe të përkujdeset për çdo imtësi, siç shprehet ai “që asgjë mos t’i lihet rastit”.

“Ka qenë seancë që vështirë është me përshkru me fjalë, janë ndjenja që arkivohen në ndërdijen e njeriut që një herë në jetë të jepet ai rast me e përjetu”- tregon Rexhepi.

Rexhepi i cili atëkohë ishte ulur në krye të Kuvendit, e mban mend pastër se si seanca kishte filluar pak me vonesë e fjalën kryesore e kishte nisur atëkohë Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, më pas ka ftuar ish-kryeministrin Hashim Thaçi që të prezantojë ftesën për mbajtjen e seancës , e deri te dhënia e fjalës për ish-presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu.

Sali Rexhepi, drejtor për çështje plenare dhe procedurale në Kuvendin e Kosovës. Foto:KALLXO.com.

“Pastaj fjalën ia ka dhënë ish-kryeministrit Hashim Thaçi që e ka lexu deklaratën e pavarësisë. Pas përfundimit, në mënyrë unanime është votu kjo deklaratë me 109 vota për. Ka qenë përjetim i jashtëzakonshëm ku janë çu të gjithë në kambë me apllauzë”- shpalos ai.

Pas leximit të deklaratës së Pavarësisë, kishte filluar nënshkrimi i saj së pari nga Fatmir Sejdiu, pastaj nga Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi për t’i çelë  rrugë anëtarëve të kryesisë, shefat e grupeve parlamentare dhe pastaj deputetët. 

Ndërkaq në pikën e dytë ishte bërë miratimi i simboleve të shtetit të ri; flamuri trengjyrësh dhe stema e Kosovës.

“Përkujtuese dhe emocionale është momenti kur zyrtari nga kabineti i kryetarit, Ilir Gashi e ka sjell flamurin për herë të parë me u pa pamja fizike se si duket dhe me këtë ka përfundu seanca në ora 17:05”- tregoi Rexhepi.

Një rrëfim ndryshe për flamurin

Flamuri i kaltër me hartën e artë në ballë të saj dhe yjet që bëjnë roje përmbi, ishte vështirë të gjendet atë ditë diku tjetër përpos institucioneve qendrore.

Ish-koloneli Destan Thaçi, atëbotë drejtor i Policisë në Rajonin e Prishtinës tregon se si kishte shprehur dëshirën që flamurin e ri të Kosovës ta vendosin karshi Policisë në Prishtinë.

Ngritja e flamurit të Kosovës në Drejtorinë e Policisë në Prishtinë. Foto: Arkiva e Policisë së Kosovës.

Me këtë simbolikë, ish-koloneli i cili ishte përgjegjës për Dhomën Komanduese, Thaçi donte të shpërfaqte që prej asaj dite të shkurtit të gjitha institucionet e Kosovës do jenë vatra të një Republike.

“Flamuj nuk kishim por duke iu falënderu kryetarit Isa Mustafa në atë kohë që i thashë “çomi nja tre flamura”, një e kam ndalë me e shënju atë ditë dhe kemi dalë e kemi rreshtu njësinë speciale përpara dhe e kemi ngrit flamurin këtu ku po e shihni tash dhe pastaj vazhduam me detyrat”- rrëfeu Thaçi duke bërë me dorë nga flamuri i Kosovës që vazhdon të qëndroj në krye të institucionit.

Nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, Kosova kishte ndërtuar një Shërbim Policor. Hierarkia e lartë e këtij shërbimi drejtohej nga policia e UNMIK-ut dhe çdo operacion deri më 17.02.2008 ishte nën ombrellën e këtij misioni të OKB-së.

Me shpalljen e pavarësisë policia do ndryshonte kompetencat e saj dhe do shndërrohej në Policinë e Kosovës.

Një togë e vogël e një njësie speciale u rreshtua disa qindra metra afër Kuvendit të Republikës për të hyrë në histori si Njësia e parë e armatosur e cila do e nderonte ngritjen ceremoniale të flamurit në oborrin e një institucioni të Republikës. 

Ish-drejtori i Policisë në Rajonin e Prishtinës, Destan Thaçi. Foto:KALLXO.com.

Kosova nuk kishte ushtri dhe policët u thirrën për të qenë në gatishmëri për të ruajtur rendin, mbrojtur kufijtë, edhe për të drejtuar trafikun. 

Disa qindra metra afër Kuvendit eprorët e policisë ndërtuan një dhomë të komandës e cila do menaxhonte tërë situatën.

Thaçi i cili tashmë është në pension, e kujton me ndjenja të fuqishme punën e tij për ta mbajtur rajonin e Prishtinës në nivel të lartë të sigurisë në mënyrë që asnjë incident i vogël mos të e shkatërroj magjinë e asaj date.

 “Ne kemi pas informata se atë ditë do të shpallet Kosova shtet i pavarur dhe sovran. Nga dhoma komanduese që unë e kam udhëhequr me stafin komandues ku kanë marr pjesë edhe KFOR-i, OSBE-ja dhe të gjithë eprorët e njësive të rajonit të Prishtinës, kemi marrë vendime ekipore për realizimin e planit operativ që e kemi pas për atë ditë”.

Në bazë të informatave që kishin poseduar nga terreni, Thaçi tregoi se si kishin marrë vendime ekipore për realizimin e planit operativ, anipse nuk kanë pasur sinjle që do të ketë ndonjë incident.

“Ka shku krejt normal, festimet kanë zgjatë jo vetëm atë ditë”- tregoi Thaçi.

Kush ua kumtoi lajmin qytetarëve?

Ngjarja u dokumentua nga e gjithë bota. 

Hoteli Grand, një ndërtim nga koha e ish-Jugosllavisë do shndërrohej në hotelin nga ku po raportohej shkëputja e pjesës së fundit autonome të Federatës e cila ishte shpërbërë tashmë. 

Mbi 1000 gazetarë ishin akredituar në Qendrën Mediale të asaj kohe dhe nga aty po raportonin për të gjithë botën lajmin se Kosova shpalli pavarësinë.

Për gazetarin e Radio Evropës së Lirë dhe gazetës Zëri, Zijadin Gashi,  dita filloi qysh para orës 7 të mëngjesit, atëherë kur i bënë përgatitjet që t’i ndajnë punët në redaksi, të nisen në terren dhe të mbulojnë sa më shumë se që munden çaste të asaj dite.

Gazetari Zijadin Gashi. Foto:KALLXO.com.

“Orët e para kaluan me përgatitje në objektin e Kuvendit të Kosovës që para orës 16:00 të vinte vendimi i shumëpritur e Radio Europa e Lirë kishte lajmet në ora 16:00 dhe ishte mjaft nder për ne që ndër të parët mund të përfshiheshim në atë seancë dhe të mund të raportonim për atë ditë aq të rëndësishme”- tregoi Gashi në një intervistë për KALLXO.com.

Gashi tregon se aq ishte numri i madh i mediave ndërkombëtare sa që janë munduar t’i japin përparësi informimit sa më të drejtë duke ju ndihmuar edhe atyre në mënyrë që mos të shpërndahen informata të pavërteta nga fushata serbe që gazetarët të merrnin shtrembër zhvillimet në Prishtinë. 

“Krejt çka mund të shfaqnim si emocion ishte ajo që nuk shihej dhe dëgjohej pasi që ishim gazetarë. E premë tortën e pavarësisë në redaksi, pimë nga një shampanjë dhe vazhduam punën, festa zgjati 3-4 minuta. E veçantë ishte se i gjithë stafi, përfshirë edhe komunitetet kemi festuar bashkë”- shpalosi Gashi disa nga kujtimet e veçanta të festës së tyre pak para mbrëmjes.

Monumenti që u lind më 17.02.2008

Çka nuk u thye e ka mbetur akoma simbol i Pavarësisë së shtetit më të ri në Evropë është monumenti NEWBORN që u përurua në në mbrëmjen e 17.02.2008.

Pavarësia e shpallur do nënshkruhej nga të gjithë. 

Ideatori i monumentit të ndërtuar në vitin 2008, Fisnik Ismaili, vazhdimisht kontribuon në zgjedhjen e ideve që duhet përdorur në secilin përvjetor të Pavarësisë.

Ismajli, ideoi mesazhin me të cilin kjo datë do mbahej në mend. 

Në qendër të Prishtinës u vendos të shkruhej mesazhi për lindjen e re. I shkruar në gjuhën angleze monumenti i NEWBORN do nënshkruhej nga të gjithë, Kryetari, Kryeministri dhe secili qytetar që dëshironte ta nënshkruante.

Puna për përgatitjen e këtij monumenti nisi disa ditë më herët në një proces të mbajtur larg syve të publikut. 

Saldatorët punuan për disa ditë për të ngjitur copat e metalit të cilat do shndërroheshin në mesazhin kryesor të shpalljes së pavarësisë.

Muhamet Azemi, inxhinieri kryesor i Metal Teknikës “Asllani”, kompani që e ndërtoi NEWBORN-in shpalosi një rrëfim të padëgjuar për punën e pandalshme në të ftohtë që ta bëjnë gati monumentin për mbrëmjen e 16 shkurtit, një ditë para shpalljes së Pavarësisë.

Muhamet Azemi, inxhinieri kryesor i Metal Teknikës “Asllani”. Foto: KALXLO.com.

“Ne nuk kemi qenë të infomuar se ky do ishte symbol i pavarësisë së Kosovës. Kemi nisur nga konstruksioni i brendshëm deri tek pjesa e mbështjellësit me metal. Koha ka qenë e shkurtër, kushtet atmosferike nuk ka qenë të volitshme për punë”- tregon Azemi teksa kujton punën e madhe që kanë bërë për një kohë të shkurtër.

Në momentin që e kishin mësuar se për çfarë janë shkronjat, Azemi thotë se u janë dhënë dy opsione për ngjyra, e kaltër dhe verdhë, që që e kanë pasur të vështirë t’i thajnë për shkak të temperaturave të ulëta.

“Kemi përdorur mënyra të ndryshme për t`i tharë, kemi punuar edhe jashtë orarit që ta përfundonim në kohë. Për vetë faktin që kemi pas vullnet të punojmë në 3 ndërrime ka qenë kënaqësi e vecantë sepse këto raste nuk vijnë shpesh në jetë, ka qenë privilegj për neve”- tregoi Azemi.

Festa zgjati më gjatë se dita

Datën e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë insitucionet qendrore e mbajtën të fshehur deri atë ditë. 

Megjithatë, kur u dha lajmi emocionet ishin të pashmangshme dhe domosdo duheshin ca aktivitete për t’i manifestuar ato ndjesi që mbetën pjesë e kujtesës.

Xhavit Beqiri, këshilltar politik dhe zëdhënës i ish-presidentit Fatmir Sejdiu tregon që pas ditës së Pavarësisë lajmet e mira që erdhën me radhë ishin arsye që të festohet gjatë.

“Në ditën e Shpalljes së Pavarësisë ai ankthi pozitiv se si do të rrjedh gjithçka nuk kam pasur tendosje të madhe emocionale, pra kam qenë shumë i ftohtë. Emocionet kanë shpërthyer ditën kur kanë nisur njohjet, sepse aty Kosova fitoi pranimin ndërkombëtar, ka qenë një emocion i veçantë, një ndjenjë e jashtëzakonshme”- tregon e nostalgji Beqiri në një intervistë për KALLXO.com.

Përveç mbledhjes në Parlament, nën patronazhin e Presidencës ishin organizuar edhe veprimtari tjera jashtë objekteve qendrore.

Xhavit Beqiri, këshilltar politik dhe zëdhënës i ish-presidentit Fatmir Sejdiu, Foto:KALLXO.com.

Në traditën e vendit dasmat përfundojnë me ceremoninë e prerjes së tortës.

Një ëmblësirë e madhe në formë të hartës ishte vendosur në mes të Prishtinës dy ditë pas shpalljes së Pavarësisë.

I pari i Republikës, Presidenti Fatmir Sejdiu doli në shesh për ta udhëhequr ceremoninë.

“Ka qenë edhe insistimi i ëmbëltores që kanë dashtë me marrë kujdesin e Presidencës në mënyrë simbolike dhe ka dalë një manifestim simpatik te sheshi Nënë Terezë me një torte të madhe, mos të themi gjigante dhe moti ka qenë më i mirë me diell”- tregoi Beqiri, për ëmbëlsirën që ishte prerë nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu.

Për tortën ashtu si për shtetin u përgatitën të gjitha nga e para.

U përgatit bazamenti, ngjashëm me bazamentin e shtetit që është Kushtetuta, u përgatitën shtyllat dhe mbajtëset ngjashëm me ligjet e rregullat e reja që do hynin në fuqi, u kontrollua siguria e ushqimit ngjashëm si ndërtimi i institucioneve të sigurisë, u koordinua edhe promovimi i saj ngjashëm me promovimin e shtetit që siguroi mbi 100 njohje deri më sot. 

“Tavolina ka qenë dy pjesë se dimensionet i ka pasur të mëdha është dashtë dy pjesë diku pesë me pesë ka qenë edhe atje u kompletu është bë një pjesë edhe është qit tortja”- tha për KALLXO.com, Sokol Kololli, udhëheqës i sektorit të kontrollit në kompaninë konstruktuese ‘Elsam’ teksa përshkroi përgatitjet për mbajtës e tortës së Pavarësisë.

Hysni Krasniqi nga kompania konstruktuese e mbajtësve të tortës“Elsam” tregon se sa vështirë kishte qenë që të ndërtojnë tavolinë të madhe për tortën e madhe, gjë që se kishin bërë më parë.

“Torta ka qenë shumë e rëndë dhe është deshtë një kornizë e qëndrueshme. E kemi bërë kornizën në formë të hartës së Kosovës, e kemi përgatit në repartin tonë dhe e kemi transportu deri në Prishtinë. Korniza ka qenë aq voluminoze sa që ka qenë dashe me u transportu në dy pjesë”- tregoi ai për KALLXO.com.

Hysni Krasniqi nga kompania konstruktuese e mbajtësve të tortës“Elsam”. Foto:KALLXO.com.

Krasniqi shpreh nder dhe emocion që kishin pasur rastin të marrin pjesë me diçka simbolike në këtë ditë festive shumë të pritshme, mbajtës për të cilin punuan pesë punëtorë për katër ditë nga 24 orë.

16 vite pas, Xhavit Beqiri e kujton Pavarësinë e Kosovës si  një moment të paharrueshëm, një sublimim i gjithë asaj që ka dhënë populli i Kosovës për lirinë dhe Pavarësinë, punën që është bërë, gjakun që është derdhur dhe punës intelektuale politike që është bërë.

“…por fatmirësisht ka shkuar si një dasëm e mirë ku si thuhet nuk thehet asnjë gotë”- përfundoi Beqiri.

Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Për nderë të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.

Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.

“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.