Prapaskenat e seancës së jashtëzakonshme të shpalljes së Pavarësisë - VIDEO

16 vjet kanë kaluar prej se kur u shpall Kosova shtet i pavarur.

Këto vite nuk kanë zbehur aspak kujtimet e punonjësit të Kuvendit të Kosovës, Sali Rexhepit, i cili më 17 shkurt 2008 ishte ngarkuar me punë për të qëndruar prapa administratës.

Ai kujdesej që asnjë detaj të mos kalonte pa parapërgatitje dhe që procedurat do ndiqeshin e shteti i ri nuk do dështonte në hapat e parë të vendimmarrjes.

Rexhepi, drejtor për çështje plenare dhe procedurale në Kuvendin e Kosovës, rrëfen se si filluan përgatitjet për seancën e jashtëzakonshme të së dielës së dytë të shkurtit të ftohtë 16 vjet më parë, që nga kërkesa për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, mbajtja e mbledhjes së kryesisë, fillimi i shkrimit të skenarit e deri te akti i shpalljes së Pavarësisë.

“Ka qenë ditë e diel, rreth orës 11:00 kemi marr një kërkesë të nënshkruar nga ish-kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, që kanë kërkuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme me dy pika të rendit të ditës”- rrëfeu nën emocione Rexhepi në një intervistë për KALLXO.com.

Rexhepi që edhe pak muaj do pensionohet tregon se si në atë kohë në konsultim me Sekretarin dhe Kryetarin e Kuvendit, kishte përgatitur ftesën dhe rendin e ditës, ka ftuar anëtarët e kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare që të marrin pjesë në ora 12:00.

Në atë mbledhje u miratuan dy pikat e rendit të ditës “Deklarata e Pavarësisë” dhe “Miratimi i simboleve shtetërore”.

“Kanë marr pjesë tetë anëtarë të Kryesisë, pesë shefa të Grupeve Parlamentare, kryetari i Kosovës dhe kryeministri. Është diskutu dhe janë miratu pikat e rendit të ditës që të miratohen në seancë. Është caktu edhe rrjedha e folësve në seancë dhe është caktu që seanca të mbahet në ora 15:00, ne kemi ftu deputetët, kemi njoftu opinionin. Parapërgatitja ka qenë tërë ditën”- tregon Rexhepi.

Sali Rexhepi – FOTO KALLXO.com

Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Për nderë të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.

Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.

“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.