Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Dita e Pavarësisë shkoi si dasmë e mirë”

Data e mbajtjes së seancës së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, 17.02.2008 mbahej si një sekret publik.

Atë të diel të ftohtë të shkurtit, mijëra njerëz vërshuan sheshet e qyteteve për të festuar, madje pa u zyrtarizuar koha dhe agjenda e seancës.

“Populli e di datën”- përgjigjej kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, saherë pyetej për të.

Kur u dha lajmi i madh, emocionet ishin zor të frenueshme. Domosdo duheshin ca aktivitete për t’i manifestuar ato ndjesi të mbledhura kruspull të cilat mbetën të gravuara në  kujtesë.

Përveç mbledhjes në Parlament, nën patronazhin e Presidencës ishin organizuar edhe veprimtari tjera jashtë objekteve qendrore.

Xhavit Beqiri, këshilltar politik dhe zëdhënës i ish-presidentit Fatmir Sejdiu tregon që pas ditës së Pavarësisë lajmet e mira që erdhën me radhë ishin arsye që të festohet gjatë.

“…por fatmirësisht ka shkuar si një dasëm e mirë ku si thuhet nuk thehet asnjë gotë”- tha Beqiri në një intervistë për KALLXO.com.

Xhavit Beqiri, këshilltar politik dhe zëdhënës i ish-presidentit Fatmir Sejdiu. Foto: KALLXO.com

Beqiri tregon që nga angazhimet e shumta siç e quan ai “ankthi pozitiv”, më 17.02.2008 nuk kishte arritur as të ndjej tendosje të madhe emocionale.

“Emocionet kanë shpërthyer ditën kur kanë nisur njohjet, sepse aty Kosova fitoi pranimin ndërkombëtar, ka qenë një emocion i veçantë, një ndjenjë e jashtëzakonshme”- tregon me nostalgji Beqiri.

Kosovën të pavarur dhe demokratike që nga vitit 2008 deri më tani e kanë njohur 117 shtete të botës.

Bashkë me njohjet që filluan që në ditën e parë, një tortë e madhe në formë të hartës ishte vendosur në mes të Prishtinës dy ditë pas shpalljes së Pavarësisë.

“Ka qenë edhe insistimi i ëmbëltores që kanë dashtë me marrë kujdesin e Presidencës në mënyrë simbolike dhe ka dalë një manifestim simpatik te sheshi Nënë Terezë me një torte të madhe, mos të themi gjigante dhe moti ka qenë më i mirë me diell”- tregoi Beqiri, për ëmbëlsirën që ishte prerë nga atëkohë i pari i vendit, Fatmir Sejdiu.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.