Punë në ditë e netë të ftohta deri te ndërtimi i NEWBORN-it

Shtatë germat e mëdha të thurura në gjuhën angleze që u përuruan në mbrëmjen e 17.02.2008, çdo vit bartin nga një porosi, sidomos të nxjerrë nga ngjarjet që karakterizojnë vitin.

Idenë e autorit Fisnik Ismaili, kompania “Metal Teknika Asllani” e kishte jetësuar në monument të Pavarësisë, që u quajt NEWBORN, apo lindje e re.

Saldatorët punuan për disa ditë e netë për të ngjitur copat e metalit të cilat do shndërroheshin në mesazhin kryesor të shpalljes së pavarësisë.

Muhamet Azemi, inxhinieri kryesor i NEWBORN-it shpalosi një rrëfim të padëgjuar për punën e pandalshme në të ftohtë që ta bëjnë gati monumentin për mbrëmjen e 16 shkurtit, një ditë para shpalljes së Pavarësisë.

“Ne nuk kemi qenë të infomuar se ky do ishte symbol i pavarësisë së Kosovës. Kemi nisur nga konstruksioni i brendshëm deri tek pjesa e mbështjellësit me metal. Koha ka qenë e shkurtër, kushtet atmosferike nuk ka qenë të volitshme për punë”- tregon Azemi për KALLXO.com.

Muhamet Azemi, inxhinieri kryesor i NEWBORN-it. Foto:KALLXO.com.

 

Në momentin që e kishin mësuar se për çfarë janë shkronjat, Azemi thotë se u janë dhënë dy opsione për ngjyra, e kaltër dhe verdhë, që  e kanë pasur të vështirë t’i thajnë për shkak të temperaturave të ulëta.

“Kemi përdorur mënyra të ndryshme për t`i tharë, kemi punuar edhe jashtë orarit që ta përfundonim në kohë. Për vetë faktin që kemi pas vullnet të punojmë në 3 ndërrime ka qenë kënaqësi e veçantë sepse këto raste nuk vijnë shpesh në jetë, ka qenë privilegj për neve”- tregoi Azemi.

Pavarësia që u shpall brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës do nënshkruhej nga qytetarët mbi metalin e NEWBORN që atëkohë mbante ngjyrën e verdhë.

Ideatori Ismaili, vazhdimisht kontribuon në zgjedhjen e ideve që duhet përdorur në secilin përvjetor të Pavarësisë.

Këtë vit me logon ‘7 qiejt’ NEWBORM  për dallim nga mesazhet politike të viteve të fundit, në vitin 2024 do mbajë simbole të vendeve evropiane të cilat qytetarët e Kosovës do mund t’i vizitojnë lirshëm, pa regjim të vizave.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.