Foto: Presidenca e Finlandës

Vdes Maarti Ahtisaari

Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka vdekur sot.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti aktual i Finlandës, Sauli Niinistö.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari. Marti Ahtisaari besonte në njerëzit, qytetërimin dhe mirësinë, dhe ai jetoi një jetë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme. Ai ishte presidenti i kohërave të ndryshimit, i cili e çoi Finlandën në epokën globale të BE-së” – ka shkruar Niinistö në pltaformën “X”.

Ahtisaari ka qenë presidenti i dhjetë i Finlandës, duke shërbyer nga marsi i vitit 1994 deri në shkurt të 2000-tës. Gjatë kësaj kohe Finlanda u bashkua me Bashkimin Evropian dhe kapërceu një recesion të rëndë ekonomik.

Pas largimit nga detyra si President i Republikës së Finlandës, Ahtisaari vazhdoi karrierën e tij në ndërmjetësimin ndërkombëtar të paqes dhe zgjidhjen e konflikteve dhe t’ua linte trashëgiminë dhe njohuritë e tij ndërmjetësuesve të ardhshëm të paqes.

Në nëntor të vitit 2005, ish-presidenti finlandez mori pozitën e të dërguarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për procesin e statusit të ardhshëm të Kosovës.

Në atë vit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, duke vepruar në bazë të konkluzioneve të Këshillit të Sigurimit se situata në Kosovë nuk ishte më e qëndrueshme, i kërkoi Marti Ahtisaarit të udhëheqë procesin politik për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës.

Pas 16 muaj përpjekjesh për të gjetur një zgjidhje të negociuar, Ahtisaari dhe ekipi i tij i UNOSEK-ut i dërguan Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në fund të marsit 2007 një propozim zgjidhjeje, të ashtuquajturin Plani i Ahtisaarit.

86-vjeçari u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, për kontributin e tij të gjatë në ndërmjetësimin e paqes në vitin 2008.

Në 2021-tën, Ahtisaari hoqi dorë nga të gjitha aktivitetet publike për shkak të sëmundjes së Alzheimer.