Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ish-nënkryetari i Gjilanit tregon prioritetet që duhet t’i ketë kryetari i ardhshëm i Komunës

Ish-nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, në një intervistë në “Debat Përnime”, thotë ai në balotazhin në Gjilan e përkrah kandidatin e LDK-së, Lutfi Hazirin.

Ai ka folur edhe për projektet që duhet të jenë prioritet i kryetarit të ardhshëm të Komunës së Gjilanit. 

“Duhet të fillojë sa më shpejt impianti i ujërave të zeza. Nuk është vetëm impianti veç fabrika për me i trajtu ujërat e zeza aty janë të parapara edhe 46 kilometra gypa të kanalizimit, kolektorët, është kolektori kryesor fi-1000 që do të shkojë nga Gjilani deri në fabrikë. Ky është prioriteti numër një i komunës”, tha ai. 

Sipas tij i rëndësishëm është të zgjidhet problemi me mungesën e ujit të pijshëm për gjilanasit.

“Nuk janë duke e ditë njerëzit, ose nuk janë duke e ditë edhe kandidatët që penda e Përlepnicës ka rezerva të ujit vetëm edhe për 3 muaj. Çka do të bëjmë ne verës?”, shtoi ai. 

Në emisionin “Debat Pernime” sonte po transmetohen intervistat me ish-kryetarin e Gjilanit nga PDK-ja, Qemajl Mustafën dhe ish-nënkryetarin e kësaj Komune, Rexhep Kadriun.

Dy ish-figurat udhëheqëse politike në këtë komunë flasin për garën e balotazhit që do të mbahet në Gjilan më 14 nëntor.

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni do të përballet në balotazh me kundërkandidatin e tij, kryetarin aktual të Gjilanit, Lutfi Hazirin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve në Gjilan, kandidati i LVV-së, Alban Hyseni ka siguruar 44,71 për qind te votave, kurse kandidati Lutfi Haziri nga LDK ka marrë 43,51 për qind.