Institucionet publike të cilat Inspektoriati i Punës nuk ka mandat për inspektim
Ushtruesi i detyrës së Kryeinspektorit të Punës, Vesel Zhinipotoku, në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar institucionet publike në të cilat nuk kanë të drejtë të realizojnë inspektime.
Sipas Zhinipotokut, bazuar në Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë, Inspektorati i Punës nuk ka mandat ta inspektojë Ndërmarrjen Publike “Trepça”, por këtë e bën Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Të tjerat institucione publike që Zhinipotoku tha se nuk mund t’i inspektojnë janë: Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës e asnjë minierë nëntokësore.
“Janë mbi 30 raste që vetëm në muajin e kaluar institucione publike që janë inspektuar.” – deklaroi Zhinipotoku në emisionin “Kallxo Përnime”.
Zhinipotoku tregoi se i kanë 54 inspektorë gjithsej, ndërsa numërohen mbi 70,000 subjekte në sektorin privat.
Në anën tjetër, ai po ashtu ka treguar se e kanë gjobitur jo rrallë herë Korporatën Energjetike e Kosovës (KEK).
“Zakonisht [gjobat për KEK-un] kanë qenë edhe për kushtet e punës edhe për aksidente në vendin e punës, po edhe mohim i të drejtave të punëtorëve qoftë te pagat, risistemimet e ndryshme. Këto kanë ndodhë në vazhdimësi, janë evidente.” – ka thënë Zhinipotoku.
Ai ka konfirmuar se Inspektorati i Punës po e trajton rastin e vdekjes së punëtorit në vendin e punës, te termocentrali ‘Kosova B’.
Sipas Zhinipotokut, më 27.02.2026 rreth orës 10:00 kanë pranuar informacionin nga punëdhënësi që ka ndodhur aksidenti në vend të punës e me fatalitet.
“Me të marrë informatën, inspektorët e punës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se kemi të bëjmë me një aksident, ku për pasojë është i vdekur një punëtor, i cili me pozitë ka qenë punëtor sigurimi.” – tha Zhinipotoku.
Më 27.02.2026, KEK gjatë ditës njoftoi për vdekjen e një punëtori në vendin e punës, pas një incidenti të rëndë.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për një punonjës 55-vjeçar.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), njofton me keqardhje të thellë se sot, në Termocentralin “Kosova B”, ka ndodhur një incident i rëndë, ku është përfshirë një mjet transportues kamion dhe një punonjës. Si pasojë e këtij incidenti, një punonjës mashkull kosovar 55-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda” – thuhet në njoftimin e KEK më 27.02.2026.
Shoferi i kamionit që dyshohet se shkaktoi aksidentin u intervistua në Polici.
Kaltrina Shala, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës ka konfirmuar se kanë iniciuar rastin ku vdiq punëtori te ‘Kosova B’, si ‘Rrezikim i Trafikut Publik”.
“Ju njoftojmë se pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rastin “Rrezikim i trafikut publik” sipas nenit 370 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit është duke vazhduar tutje me veprimet e mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet lidhur me këtë çështje penale do të vazhdojnë me Policinë e Kosovës” – tha Kaltrina Shala për KALLXO.com.
Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës, në vitin 2022 kanë vdekur 15 punëtorë në vendin e punës, në vitin 2023 kanë vdekur 11 punëtorë, në 2024 janë regjistruar 7 vdekje në vendin e punës dhe më 2025, 19 vdekje.
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN ka publikuar disa raporte për të drejtat e punëtorëve dhe trajtimit të rasteve të tyre në vendin e punës.
Më 14.12.2023, BIRN ka prezantuar raportin mbi gjetjet e të drejtave të punës dhe sigurisë në punë për punëtorët për vitin 2023, të titulluar “Viktimat e padrejtësisë”.
Të dhënat nga ky raport dokumentojnë se ekzekutivi dhe gjyqësori kanë bërë një zhvillim të vogël në adresimin e çështjeve lidhur me marrëdhënien e punës, veçanërisht tek siguria në punë pasi aksidentet me fatalitet në vend vazhdojnë të rriten.
“Gjatë viteve 2021 – 2023, 33 punëtorë kanë vdekur nga 763 aksidente në punë. Statistikat tregojnë që vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 kanë vdekur 9 punëtorë. Kjo tregon një rritje të rasteve të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e aksidenteve në vendin e punës” – thuhet në raportin “Viktimat e padrejtësisë”.
Më 24.11.2023, BIRN publikoi raportin “Menaxhimi i Punëtorëve pa Procedura”.
Mostra e marrë për këtë hulumtim ishte me 50 biznese dhe 20 punëtorë me qëllim që të analizohej niveli i zbatimit të Ligjit të Punës, përfshirë këtu respektimin e kontratave nga bizneset, të rregulloreve të punësimit, punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe nivelin e njohurive mbi rregullat e sigurisë në punë.
Kurse, më 24.01.2023, u publikua raporti “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtoreve nga Inspektorati i Punës dhe Gjyqësori”, pas një hulumtimi njëvjeçar nga BIRN dhe Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.
Nga gjetjet e këtij raporti janë: pothuajse çdo muaj, në Kosovë një person ka vdekur në vendin e punës, ndërsa vetëm 1.5% e bizneseve kanë kryer obligimin për vlerësimin e rrezikut në vendin e punës.
Të dhënat e Inspektoratit të Punës treguan se gjatë vitit 2021 në 10,162 inspektime u hasën 1,459 punëtorë pa kontrata pune dhe 433 punëtorë të padeklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).