Vdekja e punëtorëve në vendin e punës

Raporti i BIRN: Thuajse çdo muaj vdes një punëtor dhe vetëm 1.5% e bizneseve kanë bërë vlerësimin e rrezikut në vendin e punës

Pothuajse çdo muaj, në Kosovë vdes një person në vendin e punës, ndërsa vetëm 1.5% e bizneseve kanë kryer obligimin për vlerësimin e rrezikut në vendin e punës.

Edhe pse nuk ka statistika dhe matje për numrin e punëtorëve të paregjistruar, të dhënat e Inspektoratit të Punës tregojnë se gjatë vitit 2021 në 10,162 inspektime u hasën 1,459 punëtorë pa kontrata pune dhe 433 punëtorë të padeklaruar në ATK.

Këto janë disa nga gjetjet e raportit “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtoreve nga Inspektorati i Punës dhe Gjyqësori” i cili u publikua sot, pas një hulumtimi njëvjeçar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN dhe Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.

Gjetjet e raportit u diskutuan në një panel ku morën pjesë kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi; drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj dhe zyrtari ligjor i BIRN, Kastriot Berisha.

Sipas Kastrit Berishës, zyrtar ligjor i BIRN dhe autor i raportit, gjetjet janë shqetësuese dhe niveli i sigurisë në vendet e punës në Kosovë është në gjendje alarmante. Sipas statistikave të prezantuara, 15 persona kanë vdekur në vendin e punës gjatë vitit 2022, të gjitha këto kanë qenë në ndërtimtari. Ndërsa 81 vdekje janë shënuar prej vitit 2016. Ndërsa nga viti 2011 deri në vitin 2022 kanë vdekur 141 punëtorë në vendin e punës.

Publikimi i raportit “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtorëve nga Inspektorati i Punës dhe Gjyqësorit”, Foto: KALLXO.com

Jeta Xharra e cila e moderoi këtë panel, potencoi faktin që pas ardhjes se Nikçit në krye të Inspektoratit të Punës, transparenca ka qenë më e madhe dhe është lejuar që gjatë inspektimeve të bëhen edhe xhirime.

Nikçi tha se Inspektoratin e ka gjetur shumë të mbyllur ndaj mediave, mirëpo po punon në përmirësimin e kësaj.

Mungesa e një baze të të dhënave dhe numri i vogël i inspektorëve janë ndër problemet kryesore të Inspektoratit, sipas raportit e edhe sipas Nikçit.

Për formimin e një baze të të dhënave, kryeinspektori tregoi se janë në proces të ndarjes së fondeve me Ministrinë e Financave dhe me organizata të huaja.

Ndërkaq, numri i inspektorëve nga 27 sa ka qenë në emërimin e tij në qershor, tha se ka shkuar në 35.

Gjatë vitit 2022, Nikçi tregoi se kanë shqiptuar rreth 400 gjoba, përderisa në të kaluarën tha se nuk janë shqiptuar gjoba, por janë dhënë vetëm vërejtje edhe në rastet kur biznesi ka qenë recidivist.

Një problem tjetër që Berisha potencoi është se Inspektorati i Punës nuk dërgon kallëzime penale nëpër prokurori lidhur me shkeljet që gjejnë, ndonëse ky është obligim i tyre ligjor dhe duke mos dërguar ato kryejnë edhe vetë vepra penale. E po ashtu ai tha se rreth 90% të lëndëve të inspektorëve në dy vitet e fundit janë prishur vetë brenda inspektoratit, siç tha ai nuk është besuar puna e inspektorit.

Nikçi tha se pas formimit të zyrës ligjore, do të fillojnë me shkrimin e kallëzimeve penale.

Ndryshe nga Inspektorati i Punës, Ilir Murtezaj tregoi se ATK ka disa kallëzime penale të parashtruara dhe ka një bazë të të dhënave. Gjithashtu për shqiptimin e gjobave kanë një proces dy shkallor, ku raporti i punës në terren paraqitet në shkallën e dytë – Zyra për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative, e cila e merr vendimin. Kjo sipas Murtezajt bëhet për të larguar subjektivizmin.

Një metodë të tillë, Nikçi tha se e kanë menduar edhe ata dhe do ta vendosin këtë vit nëse do e aplikojnë edhe në Inspektoratin e Punës.

Për shkak të metodave të ndryshme, Berisha tha se ka ndryshime të mëdha edhe në gjobitje për shkelje të njëjta nga këto dy organe.

Berisha tha se mungesa e bashkëpunimit dhe komunikimit mes Inspektoratit të Punës dhe ATK-së është një problem më shumë. E me këtë nuk u pajtuan krerët e këtyre institucioneve të cilët thanë se bashkëpunimi mes tyre ekziston.

Nga 27 aktgjykime të analizuara lidhur me rastet kur punëtorët janë lënduar apo kanë vdekur në vendin e punës, vetëm 4 prej tyre janë dënime me burg. Nga këto, 4 raste kanë qenë me fatalitet, dy prej të cilave janë gjykuar me burgim e dy të tjera me burgim të kushtëzuar.

Dallim të madh, sipas raportit ka edhe në numrin e ankesave të qytetarëve që punojnë në sektorin privat dhe në sektorin publik. Në dy vitet e fundit, rreth 14 mijë ankesa janë bërë nga sektori publik, e më pak se 2 mijë nga ai privat.

Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi tha se ankesat bëhen shumë më shumë nga burrat se sa nga gratë.

Shefi i seksionit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Johannes Stenbaek-Madsen, të cilët e kanë mbështetur publikimin e këtij raporti tha se do të vazhdojnë të promovojnë të drejtat e punëtorëve.

“Mbrojtja e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve është e sanksionuar në Traktatet dhe Kartën e të Drejtave Themelore. Nëpërmjet projekteve të shumta të financuara nga Bashkimi Evropian, ne do të vazhdojmë të promovojmë të drejtat e punëtorëve” – tha Stenbaek-Madsen.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.