‘Menaxhimi i Punëtorëve pa Procedura’ - Prezantohet raporti i BIRN për menaxhimin e punëtorëve dhe sigurinë në punë

BIRN Kosova të premten publikoi raportin “Menaxhimi i Punëtorëve pa Procedura”.

Raporti i prezantuar nga BIRN trajton çështjet e menaxhimit të punëtorëve nga bizneset, sigurinë dhe shëndetin në punë si dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Mostra e marrë për këtë hulumtim është me 50 biznese dhe 20 punëtorë me qëllim që të analizohet niveli i zbatimit të Ligjit të Punës, përfshirë këtu respektimin e kontratave nga bizneset, të rregulloreve të punësimit, punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe nivelin e njohurive mbi rregullat e sigurisë në punë.

Të gjeturat kryesore të këtij hulumtimi janë se;

1) Bizneset e anketuara, përballen me kapacitete të limituara organizative e profesionale, të cilat do të garantonin implementimin e Ligjit të Punës dhe Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë;

2) Bizneset vazhdojnë të kenë mangësi në hartimin e dokumenteve të brendshme organizative;

3) Një numër shqetësues i bizneseve të anketuara vazhdojnë të punojnë pa vlerësim të rrezikut në punë;

4) Bizneset e anketuara nuk ofrojnë trajnime për punëtorët fillestarë në ditët e para kur ata përfshihen në procesin e punës;

5) Bizneset e anketuara nuk kanë arritur t’i kenë të gjithë punëtorët të trajnuar për siguri dhe shëndet në punë;

6) Një numër shqetësues i bizneseve vazhdon të mbajë punëtorë pa certifikata shëndetësore;

7) Inspektorati i Punës shihet vetëm si mekanizëm represiv, që vetëm ndëshkon dhe nuk përdoret për konsultim të procedurave;

8) Menaxhimi i burimeve njerëzore kryhet nga joprofesionistët;

9) Bizneset nuk arrijnë të krijojnë kushte për punësim dhe zhvillim të personave me aftësi të kufizuar;

10) Punëtorët vazhdojnë të largohen nga puna pa përfillur procedurat e ankesave.

Kreshnik Gashi nga BIRN gjatë konferencës tha se që nga viti 2016, 102 punëtorë kanë vdekur si pasojë e aksidenteve në punë.

“Bizneset ende nuk e kanë kuptuar rëndësinë e respektimit të rregullave dhe sigurisë në punë. Bizneset i disiplinojnë punëtorët pa pas procedura të brendshme që i ndjekin dhe ky është një autoritarizëm që është i fokusuar tek pronari i biznesit dhe të dhënat janë bukur shqetësuese. Bizneset punojnë pa vlerësim të rrezikshmërisë në punë, një numër i bizneseve i kanë punëtorët pa certifikata shëndetësore” – deklaroi Gashi.

Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Avni Zogiani thotë se duhet të filloj diskutimi i ngacmimeve seksuale në vendet e punës, teksa shton se në vendet e zhvilluara ky debat ka filluar qysh herët.

“Inspektorati po mundohet të identifikoj mangësitë rregullative dhe ligjore. Po punohet në formimin e rregullativave të reja në fushën e të drejtave të punës” – tha Zogiani.

Ndërsa Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të Vetëvendosjes gjatë konferencës së prezantimit të raportit deklaroi se Kosova duhet të përgatitet për tregun europian.

“Janë dy dinamika që pashmangshëm do të ndikojnë në tregun e punës. E para liberalizimi i vizave dhe ballafaqimi me migrimin do të ndikojë tek punëdhënësi që kushtet e punës të përmirësohen dhe e dyta, hyrja në tregun e përbashkët dhe përgatitja për një treg prej 20 milionë banorësh në rajon e pastaj edhe në BE” – deklaroi Kusari-Lila.

Brahim Selimaj, kryetarit i shoqatës së Ndërtimtarëve deklaroi se ka raste kur punëtorët edhe pse i kanë pajisjet mbrojtëse nuk po i përdorin ato.

“Nuk po them që nuk ka mangësi edhe tek ndërtuesit e prodhuesit, por ka raste kur i ka pajisjet, e ka kapelën e të gjitha, e mbanë aty ndoshta dhe nuk e vendos kapelën, duhet një vetëdijesim” – deklaroi Selimaj.

Nalan Malësia nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Sektorit Publik, thotë se duhet nisur me vetëdijesimin e punëdhënësve.

“Duhet të vetëdijësojmë së pari punëdhënësit sepse çdo ditë po shohim mangësi të punëtorëve, janë të mllefosur me punën të cilën e marrin me këto mangësitë që i kemi në kontrata. Nuk po mundemi me ua plotësu kushtet një punëtori që e marrim” – tha Malësia.

Ushtruesi i detyrës së Kryeinspektorit të Tregut, Naim Hajra thotë se derisa para disa vitesh papunësia dhe mbijetesa ishin temat kryesore, sot po diskutojmë për përmbajtje.

“Me gjasë ne si shoqëri gradualisht po e zhvendosim nga një koncept i mbijetesës që e kemi pas, në një rrafsh ku diskutojmë për gjëra më përmbajtësore. Si shoqëri dhe si institucione për një periudhë të gjatë kemi operu në sensin e mbijetesës edhe ne si autoritete, si inspektorate kemi pas rol gati balansues. Inspektori ka qenë në njëfarë roli balansues ndërmjet asaj që është mjaftu që një kompani i ka punësu 15 vetë sepse tema esenciale ka qenë papunësia e ndoshta është deshtë me anashkalu aspektin ligjor, të drejtat e sigurinë”, tha Hajra.

Raporti i plotë “Menaxhimi i Punëtorëve pa Procedura” mund të qaset në këtë link.