Raporti "Viktimat e padrejtësisë", 14.12.2023, Foto:Naser Fejza / KALLXO.com

BIRN publikoi raportin 'Viktimat e padrejtësisë'

BIRN ka prezantuar të enjten raportin mbi gjetjet e të drejtave të punës dhe sigurisë në punë për punëtorët për vitin 2023, të titulluar “Viktimat e padrejtësisë”.

Të dhënat nga ky raport dokumentojnë se ekzekutivi dhe gjyqësori kanë bërë një zhvillim të vogël në adresimin e çështjeve lidhur me marrëdhënien e punës, veçanërisht tek siguria në punë ku aksidentet me fatalitet në vend vazhdojnë të rriten.

“Gjatë viteve 2021 – 2023, 33 punëtorë kanë vdekur nga 763 aksidente në punë. Statistikat tregojnë që vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 kanë vdekur 9 punëtorë. Kjo tregon një rritje të rasteve të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e aksidenteve në vendin e punës” – thuhet në raportin e publikuar.

Gjatë këtyre dy viteve, BIRN ka pranuar mbi 300 raportime nga punëtorë dhe sinjalizues që denoncuan shkelje të të drejtave të punëtorëve.

Gjetjet e këtij raporti përmbajnë të dhëna kuantitatike dhe kualitative mbi informacione të marra nga akterë kryersorë relevantë nga Inpektorati i Punës që ka rolin kryesor në mbrojtjen e këtyre të drejtave e deri tek institucioni i Avokatit të Popullit i cili ka rol këshilldhënës.

Përveç të dhënave, BIRN ka analizuar dosje të trajtuara nga Inspektorati i Punës dhe gjithë gjykatat e vendit.

Të dhënat nga ky raport dokumentojnë se ekzekutivi dhe gjyqësori kanë bërë një zhvillim të vogël në adresimin e çështjeve lidhur me marrëdhënien e punës, veçanërisht tek siguria në punë.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2023 numri i inspektorëve është rritur në 60 inspektorë, nga 37 sa kanë qenë në vitin 2022. Rritja e numrit te inspektorëve duhet të reflektojë edhe në numrin e inspektimeve, e rrjedhimisht edhe në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në terren.

Disa nga gjetjet e paraqitura në këtë raport janë:

  • Reforma ligjore ende nuk është implementuar dhe vendi vazhdon të vuajë pasojat e reformës së ngadaltë
  • Zbatimi i Ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë është në nivel të ulët dhe shpeshherë edhe i papërfillshëm nga punëdhënësit
  • Një numër shumë i vogël i bizneseve kanë përmbushur obligimet që dalin nga Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë, përfshirë këtu vlerësimin e rrezikshmërisë në punë dhe obligimet për pajisjen e stafit me certifikata shëndetësore
  • Vendi vazhdon të ketë shifra të larta të punëtorëve të cilët janë pa kontrata pune si dhe të mospërmushjes së obligimeve të tjera nga ana e punëdhënësve
  • Inspektorati i Punës ende nuk ka arritur t’i ketë kapacitetet e plota operacionale për të përmbushur obligimin ligjor
  • Performanca e Inspektoratit të Punës vazhdon të ketë sfida sidomos në numrin e inspektimeve
  • Inspektorati i Punës nuk ka regjistër të bizneseve “recidiviste” të cilat janë gjobitur nga ky institucion
  • Në metodologjinë e punës, Inspektorati i Punës nuk ka ndonjë planifikim strategjik të bazuar në rrezik lidhur me inspektimet që bëhen
  • Inspektorati i Punës nuk ka dorëzuar kallëzime penale gjatë inspektimeve të bizneseve që kanë bërë shkelje ligjore

BIRN gjeti se nuk ka obligime ligjore që institucionet e vendit të njoftojnë njëra-tjetrën për shkeljet penale të zbuluara në vendet e punës.

Këtë raport mund ta gjeni duke klikuar në këtë LINK.