Qeveria në detyrë lanson Pakon për Mbeturinat, priten masa për ndotësit dhe shtim i inspektimeve

Qeveria në detyrë e Kosovës ka lansuar Pakon për Mbeturinat dhe një paketë emergjente kundër mbeturinave ilegale. 

Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në një konferencë për media tha se vendi, aktualisht po përballet me “emergjencë në sektorin e mbetjeve”. 

Kurti deklaroi se Qeveria tashmë e ka përgatitur projektligjin e ri për menaxhimin e mbeturinave, por miratimi i tij pret konstituimin e Kuvendit.

Sipas tij, legjislacioni i ri synon krijimin e një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave, të bazuar në reduktimin, ripërdorimin dhe riciklimin e tyre, duke i kthyer mbetjet nga problem në mundësi ekonomike.

“Lirisht mund të themi se kemi një emergjencë në sektorin e mbetjeve dhe për ta adresuar atë kërkohen masa emergjente.”-  tha Kurti, të mërkurën, 20.05.2026. 

Ai bëri të ditur se në kuadër të programit do të përfshihen kompanitë rajonale të mbeturinave, Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave të Kosovës, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe komunat në gjithë territorin e vendit.

Kryeministri në detyrë tha se janë paraparë pesë marrëveshje me kompani rajonale dhe ndërmarrje publike për zbatimin e aksionit, disa prej të cilave tashmë janë nënshkruar.

Po ashtu, Kurti paralajmëroi rritje të inspektimit në fushën e mbeturinave.

“Ne presim që gjatë kohës sa zhvillohet aksioni të kemi dhjetëra inspektorë të angazhuar eksluzivisht në inspektim të mbeturinave që të krijojnë senzibilizim në këtë fushe dhe të vënë në zbatim ligjin aktual për mebturinat nëpërmjet parimit ‘ndotësi paguan.”- tha tutje Kurti.

Ndërkaq, ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, deklaroi se bëhet fjalë për “pakon më të madhe ndonjëherë” për largimin e mbeturinave në Kosovë.

Sipas saj, projekti përfaqëson një nga ndërhyrjet më serioze shtetërore për largimin e mbeturinave ilegale dhe pastrimin e hapësirave jashtë zonave urbane.

Pacolli tha se programi mbështetet në disa shtylla kryesore, si: pastrimin e hapësirave jashtë vendbanimeve, rritjen e kapaciteteve inspektuese, vendosjen e sistemit të gjobave dhe zbatimin e parimit “ndotësi paguan”, si dhe strategjinë “karrota dhe shkopi” për komunat.

Ajo njoftoi se tashmë është marrë vendimi për themelimin e grupit operativ për emergjencën e mbeturinave, ndërsa nga dita e sotme do të ketë patrullime të shtuara dhe rritje të menjëhershme të numrit të inspektorëve në terren.

Pacolli paralajmëroi masa të ashpra ligjore ndaj institucioneve dhe komunave që nuk arrijnë të pastrojnë zonat urbane.

“Nëse komunat performojnë dhe përmbushin standardet për menaxhimin e mbeturinave, ato do të mbështeten përmes një pakoje të veçantë financiare. Por, nëse komunat nuk performojnë në përputhje me standardet e vendosura, do të përdoret ‘shkopi’, pra ndëshkimi i rreptë financiar ndaj tyre.”- deklaroi Pacolli. 

Ministrja bëri të ditur se Qeveria ka ndarë një buxhet prej 1 milion eurosh për zbatimin e pakos emergjente, e cila do të fokusohet në pastrimin e hapësirave jashtë kufijve të vendbanimeve, zona që sipas saj nuk janë kompetencë e komunave.