Hoti: Të dyshuarit për fajde ushtruan presion edhe ndaj familjarëve të viktimës

Familjarët e një viktime të fajdesë në Prishtinë ishin cak i presionit nga personat e dyshuar që kryen këtë vepër penale.

Kjo dyshohet se kishte ndodhur pasi familjari i tyre dhe ata nuk po arrinin të kthenin borxhin e krijuar pas marrjes së parave me fajde.

Katër persona u arrestuan në këtë rast në një aksion të Prokurorisë së Prishtinës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Për rastin, prokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Arben Hoti, tha në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime” se presioni prej të dyshuarve iu bë edhe prindërve të viktimës.

“Në rastin konkret viktima ka filluar të ketë presione të vazhdueshme nga të dyshuarit dhe Prokuroria ka zbatuar hetime edhe masa të veçanta hetimore, ku në këtë rast dhe me zbatimin e këtyre masave është kuptuar se presioni nuk është drejtuar vetëm drejt viktimës konkrete, por edhe ndaj anëtarëve të familjes së tij, përkatësisht prindërve të tij” – theksoi Hoti.

Ai madje tha se në pamundësi të përballimit të këtij presioni dhe detyrimit viktima bashkë me familjarin e tij janë paraqitur në organet e ndjekjes dhe ka raportuar rastin duke specifikuar dhe shpjeguar gjithë rrjedhën e ngjarjes.

Hoti shpjegoi se me aplikimin e masave të veçanta hetimore, Prokuroria ka arritur ta kuptojë se përveç tre të pandehurve në këtë vepër penale ka përfshirje edhe të të pandehurit të katërt, ndaj të cilit janë zgjeruar hetimet, janë ndërmarrë veprime të tjera dhe në rastin e arrestimit janë arrestuar katër persona.

Prokurori theksoi gjatë intervistës se si Prokuroria në këtë fazë kanë informatat se të dyshuarit janë anëtarë të afërt të familjes dhe kanë njohje mes vete.

Në rastin konkret, Hoti tha se presionet kanë qenë në forma të kërcënimit dhe se me rritje të kamatave dhe forma të ndryshme ka pasur edhe presione indirekte te familjarët e viktimës.