Heshtja e VV-së dhe NISMA-s për takime dhe koalicion

Një takim që mund të ketë ndodhur mes Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt për koalicion paszgjedhor, edhe pse është orvatur tash e dy ditë nëpër opinionin publik, nga dy palët nuk po konfirmohet dot.

Se a kanë darkuar këta dy krerë të partive ose jo më 04.04.2025, KALLXO.com kontaktoi deputetë dhe anëtarë të partisë nga të dy anët. Shumica zgjodhën heshtjen, disa u përgjigjën me mesazhet e zakonshme që “drejtohuni te zyra për media”, e disa thanë që nuk kanë informacion për një gjë të tillë.

Nga NISMA Socialdemokrate nuk kanë konfirmuar një takim apo koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje. Fatmir Matoshi, Arbëreshë Krasniqi, Vesel Krasniqi, Bilall Sherifi e Xhevahire Izmaku nga NISMA nuk kanë folur për një koalicion të mundshëm.

Kurse, nga pala tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, Arlind Manxhuka, Agim Bahtiri, nuk u përgjigjën. Ndryshe prej tyre, Armend Muja dhe Saranda Bogujevci na drejtuan tek zyra për media apo te Manxhuka, i cili nuk zgjodhi rrugën e përgjigjes.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i cili ka lidhur koalicion parazgjedhor me Ramush Haradinajn, ka deklaruar në emisionin “Debat Plus”, më 20.02.2025, se është i hapur për koalicion me LVV-në.

Limaj tha se për të nuk janë me rëndësi pozicionet, por temat nacionale.

“Kush më fton në tavolinë, unë shkoj, ulna. Për Kosovën. Pikë! Unë shkoj ulna për tema nacionale, s’janë me rëndësi pozicionet… Çka po të vyen një Qeveri jofunksionale. S’më ke mua në një Qeveri jofunksionale. Kurrë, nuk hyj. Në një Qeveri që është kundër interesave të Kosovës, nuk futem” – ka deklaruar Limaj, në “DebatPlus”.

Sa i përket Koalicionit parazgjedhor, Limaj tha se AAK dhe Nisma janë dy parti politike të ndara.

“Natyrisht, që ne jemi parti të veçanta. NISMA i ka këta tre deputetë. Aleanca tani për tani i ka pesë. E, si do të jetë kur të certifikohet rezultati nuk e di. Por, unë jam shumë i interesuar që jo vetëm me zotin Haradinaj, por partneritetin në shërbim të vendit dhe realizimin e atyre objektivave që i kemi pasë ne si Koalicion, e që janë në interes të Kosovës, t’i realizojmë (edhe) me të tjerët. Kështu që, unë jam i njohur për partneritete të tilla” – ka thënë Limaj.

Votuesi i të gjitha partive politike, pozitë e opozitë, sipas tij, ka thënë: “Duhet me u ul. Me u bë bashkë”.

Në ndërkohë, më 07.04.2025 është konfirmuar se Kurti ka ftuar në takim zyrtar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku për të folur për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Nga LDK, deri më tash nuk kanë konfirmuar se a do të marrin pjesë në takim apo jo.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar të jetë 15.04.2025, kurse më 08.04.2025 ka mbledhje mes Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca me kryetarët e subjekteve politike për përgatitjes e seancës konstituive.

Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, propozimi për postin Kryetarit të Kuvendit i takon LVV-së.

Sipas këtij rezultati Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave, duke i siguruar 48 deputetët në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë, apo NISMA si e vetme ka 3 deputetë.

Kurti është shprehur vazhdimisht që Qeverinë do ta formojë me partitë e komuniteteve joshumicë, rrjedhimisht pa bashkëpunuar me partitë opozitare.

“Nuk ka ndryshuar qëndrimi ndaj kundërshtarëve tanë”- tha ai edhe njëherë në mars 2025.

Pak ditë para së të nisë fushata zgjedhore, Kurti pati thënë se nuk sheh mundësi për koalicione paszgjedhore. Ai përjashtoi mundësinë që të bëjë koalicion me PDK-në, AAK-në e LDK-në, duke i quajtur ato të pareformuara.

Kurti gjatë javës së parë të prillit është takuar me udhëheqësit e partive politike të komuniteteve joshumicë.