Haxhiu për audio-incizimet: Janë të paligjshme, Lista Serbe nuk mund ta shantazhojë Kusari–Lilën

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar në lidhje me audio-incizimet e publikuara në të cilën dëgjohet shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Haxhiu ka thënë se është një incizim i paligjshëm dhe me të sipas saj, duhet të merren institucionet e drejtësisë.

“Ka pasur interes edhe dje për të dhënë qendrimit tona. Kusari-Lila e ka sqaruar edhe mbrëmë në tërësi tendencën për të shpërfaqur një komunikim i cili ishte i prerë i redaktuar. Ju duhet ta kuptoni që Lista Serbe përfaqëson qytetarët serbë në mënyrën më të keqe të saj. Ato që janë publikuar, efekti i tyre ka qenë zero, sepse Lista Serbe nuk mund ta shantazhojë shefen e grupit parlamentar të LVV-së” – ka thënë Haxhiu para gazetarëve.

Ajo tutje ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur diskutim në mes saj, kryeministrit Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Sveçla në lidhje me këtë çështje.

“Radojçiqi ka urdhër-arrest, asnjëherë nuk pasur diskutim ndërmjet meje, kryeministrit, ministrit Sveçla dhe grupit parlamentar. E rëndësishme është që Mimoza në asnjë rrethanë nuk i është bindur kërkesave të Listës Serbe. Zonja Kusari- Lila nuk ka bërë pazare, nuk shantazhohet, nuk mund të friksohet nga askush” – ka thënë ministrja Haxhiu.

Gazeta Nacionale ka publikuar audio-incizime, ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Ky audio-incizim, siç ka thënë Gazeta Nacionale, ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar, ku deputetja Kusari-Lila ka biseduar me ish-deputetin Simiq edhe për Millan Radojiçiq, i cili është person i dyshuar për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Përpos kësaj, Radojiçiq është i dyshuar edhe në rastin Brezovica e madje edhe është në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Gazeta Nacionale me audio-incizimet që ka publikuar pretendon se shefja e GP të LVV-së ka pranuar që ka biseduar me Radojiçiqin.

Mimoza Kusari-Lila e ka pranuar në Debat Plus në RTV Dukagjini e ka pranuar se në takim me Sllavko Simiqin ka biseduar përmes telefonit edhe me Millan Radojiçiqin.

“Nuk ka pasur biseda që shkojnë përtej agjendës së Kuvendit” – tha Mimoza Kusari-Lila.

Për këto audio-incizime sot u fol edhe në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.