Reagon Lista Serbe: Sot u dëshmua se ne dhe Serbia nuk i frikësojmë serbët, por Kurti dhe njësitë e tij policore

Pas votimit në komunat në veri të vendit ka reaguar partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe.

Kjo parti ka thënë se dita e sotme dëshmoi se Lista Serbe dhe Serbia nuk i frikëson serbët, por, sipas tyre, “Kurti dhe njësitë e tij policore”.

Përmes një komunikate për media, Lista Serbe ka thënë se mbajtja e votimit për largimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri më 21.04.2024 ka treguar disa gjëra që duhet të merren parasysh në periudhën e ardhshme, sipas tyre, në radhë të parë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.

“E para është se Lista Serbe kishte thellësisht të drejtë kur i bëri thirrje popullit serb që të mos merrte pjesë në këtë lojë të Kurtit, sepse ishte krijuar që në fillim me synimin për të dështuar” – thuhet në reagim.

“Së dyti, ne duam të ritheksojmë qartë se ishim më se të gatshëm që të merrnim pjesë në këtë proces për të zëvendësuar kryetarët e rremë në komunat tona, por nuk donim të luanim lojëra të drejtuara nga regjimi në Prishtinë”.

Tutje, Lista Serbe ka pretenduar se dita e sotme ka treguar, sipas tyre, se si duket demokracia nën Albin Kurtin “me forca speciale dhe mjete të blinduara në qendrat e votimit, kamera që regjistrojnë votuesit”.

Në fund të reagimit, Lista Serbe ka thënë se dita e sotme ka treguar një shkallë të lartë të unitetit të popullit serb, “gjë që dëshmoi se nuk është Lista Serbe dhe Serbia që po i frikësojnë serbët, por Kurti dhe njësia e tij ilegale policore, që rezultoi në rrugë të zbrazëta”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë, duke e cilësuar të dështuar këtë proces.

KQZ ka njoftuar që duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, “pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”.

Sipas të dhënave të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar është: në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues nga 13,674 apo 0.91%; në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%; në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209, pra kemi 0%; në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796 apo 0.59%.

 

KQZ: Nuk është arritur 50% i domosdoshëm, votimi për largimin e kryetarëve ka dështuar