Mbretëria e Bashkuar në OKB: Lista Serbe të mos i pengojë serbët e Kosovës të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike
Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Kombet e Bashkuara, Fergus Eckersley, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka thënë se pavarësisht diferencave të Kosovës dhe Serbisë, rruga e vetme që të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Eckersley tha se Mbretëria e Bashkuar është mbështetës i vjetër i pavarësisë dhe integritetit të Kosovës.
“Mbretëria e Bashkuar është një mbështetës i vjetëri i pavarësisë dhe integritetit të Kosovës. Ne mirëpresim përpjekjet për të përforcuar sundimin e ligjit dhe implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e manastirit të Deçanit. Ky përkushtim i reformës e vendos Kosovës një hap afër për t’u bashkuar në Këshillin e Europës. Mbretëria e Bashkuar do të punojë me Kosovën në hapat në vijim përpara një vendimi pozitiv”- ka thënë Eckersley.
Duke folur për votimin e djeshëm për apo kundër largimit të katër kryetarëve në veri, ai theksoi se Lista Serbe dhe politikanët e tjerë serbë në Kosovë, nuk duhet të pengojnë serbët e Kosovës që të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike dhe që zërat e tyre të dëgjohen
“Lista Serbe dhe politikanët e tjerë serbë në Kosovë, nuk duhet të pengojnë serbët e Kosovës që të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike dhe që zërat e tyre të dëgjohen. Ne besojmë se bojkoti i largimit të kryetarëve në veri të Kosovës dje, na ka lënë më larg nga rivendosja e demokracisë përfaqësuese që meriton popullsia vendase”- ka deklaruar Eckersley.
12 është numri i qytetarëve që votuan ‘për’ largimin e Erden Atiqit nga pozita e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Kështu kanë bërë të ditur rezultatet e fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas këtyre rezultateve, në Mitrovicë të Veriut, 99 qytetarë ishin kundër largimit të Erden Atiq nga posti i kryetarit dhe 12 të tjerë votuan ‘për’ largimin e tij.
Rezultatet e KQZ-së tregojnë se gjashtë qytetarë në Leposaviq u pajtuan që Lulzim Hetemi të largohet nga pozita e tij, ndërsa 129 të tjerë nuk u pajtuan.
Në komunën e Zubin Potokut ishin vetëm 18 vota. Asnjë nga votuesit nuk ishte për shkarkimin e kryetarit të Komunës, Izmir Zeqiri.
Në Zveçan rezultoi se ishte vetëm një votë, e cila ishte kundër propozimit që Ilir Peci të largohet nga funksioni i kryetarit.
KQZ tha se në këto rezultate përfundimtare mund të vërehet ndonjë ndryshim lidhur me numrin e përgjithshëm të votave nga ato që KQZ ka prezantuar në konferencën e mbajtur në ditën e votimit, më 21.04.2024.
Më 21.04.2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve shqiptarë nga funksioni në katër komunat me shumicë serbe në veri – Leposaviq, Zubin Potok, dhe Mitrovicë e Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë votë e vetme, duke e cilësuar të dështuar këtë proces.