Mimoza Kusari-Lila flet për bisedat e saj me Sllavko Simiqin, ku përmendet edhe Millan Radojiçiq
Gazeta Nacionale ka publikuar një audio-incizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.
Ky audio-incizim, siç ka thënë Gazeta Nacionale, ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar, ku deputetja Kusari-Lila ka biseduar me ish-deputetin Simiq edhe për Millan Radojiçiq, i cili është person i dyshuar për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Përpos kësaj, Radojiçiq është i dyshuar edhe në rastin Brezovica e madje edhe është në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.
Gazeta Nacionale me audio-incizimet që ka publikuar pretendon se shefja e GP të LVV-së ka pranuar që ka biseduar me Radojiçiqin.
Mimoza Kusari-Lila e ka pranuar në Debat Plus në RTV Dukagjini e ka pranuar se në takim me Sllavko Simiqin ka biseduar përmes telefonit edhe me Millan Radojiçiqin.
“Nuk ka pasur biseda që shkojnë përtej agjendës së Kuvendit” – tha Mimoza Kusari-Lila.
Për këto audio-incizime sot u fol edhe në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se Kuvendi duhet të ketë seancë të jashtëzakonshme për këto audio-incizime.
“Sapo i dëgjuam disa përgjime e të cilat dokumentojnë bashkëpunimin e juaj me kryekriminelin Millan Radojiçiq. I bëj thirrje prokurorisë së shtetit që të marrë hapa në raport me të gjithë ata njerëz të cilët janë në komunikim dhe me njerëz të cilët janë në ndjekje nga Prokuroria e Shtetit dhe në “Listën e zezë” të SHBA-ve, prandaj sot me gjasë po fillon një epokë e re dhe një etapë e re e prezantimit të bashkëpunimit të LVV me Radojiçiq” – ka thënë Tahiri.
Gjatë fjalës së tij, në një moment ndërhyu edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
“Jashtë teme jeni, mund të thirrni seancë, ju presim” – tha ai.
Ganimete Musliu nga kjo pari po ashtu tha sot mendon se do duhej të ndërprehej seanca.
“Duhet me dhanë llogari sot a me koordinim a pa koordinim, sepse po del nga videot që i dëgjuam se më shumë koordinim LVV koordinohet me Listën Serbe kundër shtetit të Kosovës, me Radojiçiqin që na e keni hëngër kryet këtu” – tha Musliu.
Tutje ajo iu drejtua deputetëve duke u thënë të mos e ulin kokën.
“A ju kujtohet juve çka keni bë në këtë Kuvend, mos e ulni more kryet sot, mos e ulni kryet, seriozisht mos qofsha në lëkurën e juaj. A me koordinim, a po koordinim, po ju pyes se këtu po del që me koordinim me LS jeni çu krejt kundër atyre njerëzve që kanë bërë diçka për këtë vend, qofshin ata vendor apo ndërkombëtar. A me koordinim a pa koordinim ia mohuat ose thjeshtë nuk e pritët në vizitë Edi Ramën, a me koordinim a pa koordinim?” – u shpreh deputetja.
Edhe Hisen Berisha nga PDK e komentoi këtë situatë duke thënë se është pak i tronditur nga aq sa ka parë nëpër media, duke iu drejtuar deputetëve se po shihet se edhe ju (LVV) shumë shpejt do të kenë PRONTO-n tuaj dhe sipas tij do të shënojë edhe fundin e ‘stërkeqjes’ së këtij vendi.
Lidhur me këto audio-incizime një konferencë të jashtëzakonshme ka pasur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, tha se audio-incizimi i publikuar sot shpërfaq një marrëveshje, sipas tij, të Qeverisë Kurti me Listën Serbe.
“Kjo është një marrëveshje sekrete mes Listës Serbe dhe Vetëvendosjes”-, theksoi ai në deklarimin e jashtëzakonshëm për media.
Ai shtoi që “temat të cilat janë diskutuar në këtë takim janë të interesit shtetëror dhe janë shkelje flagrante si në raport me ligjin ashtu edhe me moralin politik”.
Ajo që AAK dëshiron si parti është që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të japë një sqarim të drejtpërdrejtë në lidhje me këto tema.
“Në këtë përgjim shpërfaqet diskutimi rreth rrymës në veriun e Kosovës, aspekti i rrymës dhe energjisë është tema më korruptive e cila tash e sa muaj trajtohet në diskursin publik dhe tanimë dihet se është edhe në një hetim” – theksoi Tahiri.