foto; Denis Sllovinja
Gjykata Supreme e hoqi kufizimin e moshës për emërimin e asistentëve, parashikohen probleme serioze e diversitet në UP
Heqja e kufizimit të moshës për emërimin e asistentëve për herë të parë në Universitetin e Prishtinës krijon dilema serioze, ka vlerësuar Altin Sahiti, kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së.
Ky reagim i Sahitit vjen pasi Gjykata Supreme i ka shfuqizuar dispozitat e Statutit të Universitetit të Prishtinës dhe të një Rregulloreje të UP-së, në të cilat kusht për emërimin për herë të parë të kandidatit për asistent ishte të jetë jo më i vjetër se 35-vjeç.
Njëjtë nuk mendon Sala Jashari, deputete dhe zëvendëskryetare e Komisionit paralamentar për Arsim, e cila e përkrah vendimin e Gjykatës dhe beson se ka vepruar drejt.
Kurse, Dukagjin Pupovci, ish-zëvendësministër i Arsimit dhe ekspert i fushës, tregon se si mund të arsyetohet vendimi i Gjykatës, por megjithatë thot se do të krijojë probleme serioze.
“Të jetë jo më i vjetër se 35 vjet kur emërohet për herë të parë. Përjashtimisht, kandidati mund të zgjidhet asistent universiteti deri në moshën 40 vjeçare nëse ka gradën e doktorit të shkencës (ose në rastin e lëndëve klinike në Fakultetin e Mjekësisë, të ketë të përfunduar specializimin)” – është nënparagrafi 1.2 i nenit 154 të Statutit të UP-së të korrikut 2024 që e ka shfuqizuar Gjykata Supreme.
E njëjta dispozitë ndodhet edhe në nënparagrafin 1.2 të nenit 7 të Rregullores për procedurat përzgjedhëse për emërimin, avancimin e personelit akademik në UP të datës 03.06.2025 dhe është shfuqizuar nga Gjykata.
Shfuqizimi i tyre ka ndodhur pasi është aprovuar e themeltë padia e Nita Bokshi kundër UP-së e Kuvendit të Kosovës.
Statuti i UP-së është miratuar nga Kuvendi.

Por, kjo është hera e dytë që Gjykata Supreme shfuqizon dispozita të Statutit të UP-së që derivojnë edhe në Rregullore të saj.
Kryetari Sahiti vlerëson se nuk bëhet fjalë për diskriminim ndaj moshës, pavarësisht se Gjykata Supereme ka konstatuar se dispozitat e Statutit të UP-së të kontestuara paraqesin kufizim të drejtpërdrejtë mbi të drejtën e qasjes në pozita akademike, pa një arsyetim objektiv.
Dilemat që Sahiti i ka përmendur në formë pyetjeje janë: A po humbet koncepti i “karrierës akademike lineare”? A po rrezikohet hapësira për gjeneratat e reja që sapo përfundojnë studimet master/doktoraturë? A po deformohet natyra e pozitës së asistentit, e cila është dizajnuar si fazë fillestare dhe jo si rikthim apo hyrje e vonshme në sistem?
“Nëse në këtë garë përballen një 35-vjeçar/e me Master apo PhD, që sapo po hyn në sistem, dhe një 55-vjeçar me përvojë të gjatë profesionale, dihet kush ka avantazhin konkurrues. Kjo nuk është çështje e vlerës personale të askujt. Është çështje e natyrës së pozitës. Asistenti nuk është kulm karriere, por pikënisje. Nëse pikënisja bëhet fushë gare për profile që tashmë kanë kaluar dekada në profesion, atëherë sistemi rrezikon të mbyllë derën pikërisht për ata që duhet ta hapë.” – ka shkruar Sahiti në Facebook më 03.03.2026.
“Bëhet fjalë për strukturim racional të karrierës akademike dhe ruajtje të balancës ndërmjet përvojës dhe zhvillimit të brezit të ri. Universiteti duhet të ketë hapësirë për të rinjtë që sapo hyjnë në sistem, ashtu siç duhet të ketë pozita adekuate për profesionistët me përvojë. Por këto nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë. Debati duhet të jetë profesional, jo emocional. Sepse në fund, çështja nuk është mosha – është koherenca e sistemit.” – ka shtuar Sahiti.
Vendimi i Gjykatës mund të arsyetohet disi nga këndvështrimi se në sistemin e arsimit në Kosovë po merren masa që janë kundër diskriminimit, qoftë edhe në baza moshore, tha për KALLXO.com Dukagjin Pupovci.
Pupovci thot se roli i asistentit është rol ndihmës dhe për këtë arsye janë vënë kufizimet moshore në mënyrë që këta njerëz të jenë me moshë të paktën më të rinj sesa profesorët, të cilët kanë rol udhëheqës në procesin mësimor.
“Në shumë universitete të botës, asistentët janë kryesisht studentë të doktoratës, të cilët me përfundimin e studimeve të doktoratës faktikisht duhet të largohen nga universiteti se nuk qëndrojnë dot më shumë në pozitën e asistentit. Me këtë vendim të Gjykatës, në një mënyrë pozita e asistentit po bëhet e përhershme, gjë që nuk është mirë sepse ata njerëz duhet të jenë të motivuar që të avancojnë në karrierë dhe që sa më shpejt të lëvizin nga pozita e asistentit në pozitat më të larta brenda universitetit” – ka deklaruar Pupovci për KALLXO.com.
Pupovci konsideron se kjo mund të krijojë një demotivim te një pjesë e stafit akademik dhe mund të shkaktojë probleme në të ardhmen “kur në konkurs paraqiten njerëzit të cilët nuk i përmbushin kriteret e tanishme moshore dhe ata duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me personat të cilët janë në kulmin e avancimit të vet”.
“Në kushte të tilla ndoshta Universiteti duhet të mendojë për riformatimin e rolit të asistentit, d.m.th. asistentët vërtetë të jenë një kategori e përkohshme, e cila merret me studime të doktoratës, apo duhet të ketë njëfarë parimi në bazë të të cilëve bëhet punësimi i tyre në mënyrë që të mundësohet që me të vërtetë në ato pozita të jenë njerëzit e gjeneratave më të reja, sepse unë nuk shoh se si do të përgatiten gjeneratat më të reja për pozita më të larta nëse nuk kalojnë nëpër filtrin e asistentit.”
Deputetja Sala Jashari vlerëson se në fushën akademike kriteret kryesore duhet të jenë përgatitja profesionale, arritjet shkencore, potenciali për hulumtim dhe kontributi në mësimdhënie, e jo mosha kronologjike.
Ndonëse shprehet se e çmon dhe e mbështet fuqishëm motivimin dhe përfshirjen e të rinjëve në universitete si kontributdhënës në arsim, Jashari konsideron se nuk duhet përjashtuar kandidatë që mund të kenë përvojë të vlefshme profesionale dhe akademike, pavarësisht moshës së tyre dhe sidomos në arsimin e lartë.
“Ky vendim i Gjykatës, sipas mendimit tim, forcon parimin e barazisë dhe të mosdiskriminimit, duke i hapur rrugë një gare më të drejtë dhe më meritore. Heqja e kufizimit të moshës pritet të krijojë mundësi më të gjera për profesionistë që, ndoshta për arsye të ndryshme, si angazhime të tjera profesionale apo studime të zgjatura, nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë më herët” – ka thënë Jashari në përgjigjen e saj me shkrim më 03.03.2026.
Sipas Jasharit, në planin afatgjatë kjo mund të ndikojë pozitivisht në rritjen e cilësisë në universitet, duke sjellë diversitet më të madh në përvoja dhe perspektiva brenda stafit akademik.
Deputetja thekson se mbetet e rëndësishme që proceset e përzgjedhjes të mbeten transparente dhe të bazuara strikt në meritë në mënyrë që vendimi të prodhojë efektet e duhura për zhvillimin e arsimit të lartë.
KALLXO.com e ka tentuar të kontaktojë përmes telefonit rektorin Arben Hajrullahu për ta marrë një deklarim nga ana e tij në lidhje me vendimin e Gjykatës Supreme, por nuk ka qenë i qasshëm.
Në anën tjetër, në gjykimin e saj për këtë rast, Gjykata Supreme është mbështetur në Ligjin nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë, në të cilin thot se garantohen “mundësi të barabarta për të gjithë studentët dhe personelin në institucionet e arsimit të lartë pa diskriminim.”
“Statuti i çdo bartësi të arsimit të lartë duhet të sigurojë mundësi të barabarta për punësim dhe qasje të barabartë në studim dhe kërkim shkencor pa diskriminim” – thuhet në paragrafin 5, neni 17 në Ligjin për Arsimin e Lartë.
Gjykata vlerëson se Ligji nr.05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi në nenet 1 dhe 2 ndalon çdo diskriminim në baza të ndryshme, përfshirë moshën dhe thekson se kufizimet duhet të jenë të arsyetuara e legjitime.
“Gjykata vlerëson se një kufizim i tillë nuk është i nevojshëm për të arritur një qëllim legjitim, përveç një shprehjeje të përgjithshme të përcaktimit procedural, dhe përbën “diskriminim të drejtpërdrejt mbi bazën e moshës”, në shkelje të “parimit të trajtimit të barabartë dhe mundësive të barabarta.” – thuhet në aktgjykim të Gjykatës Supreme të datës 12.02.2026.
Nita Bokshi e kishte paditur UP-në dhe Kuvendin e Kosovës më 12.12.2025. Në aktgjykim është shpjeguar se paditësja ishte përjashtuar automatikisht nga mundësia për të marrë pjesë në konkursin për pozitën e asistentit për shkak të dispozitave të parapara në Statutin e UP-së dhe Rregulloren për emërimin, avancimin e personelit akademik të UP-së.
Universiteti i ka kërkuar Gjykatës që ta refuzojë kërkesëpadinë e paditëses. Kurse, Kuvendi i Kosovës ka kërkuar që të hidhet poshtë padia.
“Për më tepër, dispozita që rregullojnë kriterin e moshës për zgjedhjen e stafit akademik kanë ekzistuar edhe në statutet e mëparshme të Universitetit të Prishtinës, që nga Statuti i vitit 2004 e në vazhdim, çka dëshmon për një praktikë normative të qëndrueshme dhe jo për një kufizim të rastësishëm” – është deklaruar UP, sipas Gjykatës.
UP ka theksuar se në të gjitha konkurset që shpallen për përzgjedhjen e kandidatëve për personel akademik, të gjithë kandidatët janë të njoftuar për kriterin e moshës që zbatohet pa përjashtime individuale dhe sipas tyre, përcaktimi i kriterit të moshës në këtë rast nuk paraqet diskriminim.
Kurse, Kuvendi i Kosovës ka konsideruar se nuk legjitimohet pasivisht në këtë çështje juridike për faktin se nuk është organ që e ka hartuar dhe vendosur përmbajtjen e Statutit.
“I padituri konstaton se Statuti i Universitetit të Prishtinës nuk është shqyrtuar dhe amandamentuar fare nga ana e Kuvendit të Kosovës, i njëjti vetëm është votuar formalisht.” – kanë thënë nga Kuvendi.
Edhe në Statutin e vjetër të UP-së, në nënparagrafin 1.2 të nenit 178, kishte qenë po ashtu e përcaktuar që kandidati i cili emërohet për herë të parë asistent duhet të jetë jo më i vjetër se 30-vjeç.

Kurse, në Statutin e ri të UP-së përcaktohen edhe kritere të tjera për emërimin e asistentëve si: t’i ketë të përfunduara studimet master, e në rast se rizgjidhet të jetë i regjistruar në studime të doktoratës; të ketë notën mesatare në studimet bachelor e master jo më pak se 8, dhe të tjera.

Më 24.12.2025, KALLXO.com raportoi se Gjykata Supreme përmes një aktgjykimi i ka shfuqizuar dispozitat të cilat ndalonin emërimin e kandidatëve si personel akademik në njësitë akademike të UP-së ku kanë të punësuar njerëz të afërt të familjes.
Aktgjykimi i Supremes është nxjerrë pasi Belinda Pustina e ka paditur Universitetin kundër dispozitave – paragrafit 3 dhe 4 të nenit 153 të Statutit të UP-së dhe paragrafit 6 të nenit 7 të Rregullores për Procedurat Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në UP e datës 17.07.2024.
(Shënim 1: Artikulli është edituar, me ç’rast në vend të inicialeve është shkruar emri i plotë i paditëses. Koha e editimit: 03.03.2026, ora 23:17)
(Shënim 2: Artikulli është edituar, tek raportimi për aktgjykimin e Supremes të dhjetorit 2025 në vend të inicialeve të paditëses është shkruar emri i plotë i saj. Koha e editimit: 13.03.2026, ora 18:05)