Rektorati i UP-së | Foto: KALLXO.com

Shfuqizimi i dispozitave të Statutit të UP-së nga Gjykata, reagon kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së

Pasi Kolegji i Gjykatës Supreme ka shfuqizuar disa dispozita të Statutit të Universitetit të Prishtinës dhe të një Rregulloreje të UP-së, ka reaguar Altin Sahiti, kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së.

Gjykata Supreme përmes një aktgjykimi i ka shfuqizuar dispozitat të cilat ndalonin emërimin e kandidatëve si personel akademik në njësitë akademike të UP-së ku kanë të punësuar njerëz të afërt të familjes.

Aktgjykimi i Supremes është nxjerr pasi Belinda Pustina e ka paditur Universitetin kundër dispozitave – paragrafit 3 dhe 4 të nenit 153 të Statutit të UP-së dhe paragrafit 6 të nenit 7 të Rregullores për Procedurat Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në UP e datës 17.07.2024.

“Gjykata Supreme pas shqyrtimit të nenit 153 paragraf 3 dhe 4 të Statutit të Universitetit të Prishtinës dhe nenit 7 paragraf 6 të Rregullores nr. 2/254, për Procedurat Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në Universitetin e Prishtinës, ka konstatuar se dispozitat e sipërcituara janë të paligjshme.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme, më 22.12.2025.

Kryetari Sahiti në reagimin e tij të titulluar “Kur ligji hap derën nepotizmit” ka theksuar se paragrafët 3 dhe 4 të Nenit 153 të Statutit të UP-së nuk ishin kundër askujt personalisht, por sipas tij, ishin kundër keqpërdorimit të pushtetit, nepotizmit të institucionalizuar dhe kundër praktikës së vjetër ku familjarët punësohen, ndërsa të tjerët presin ose bllokohen me qëllim.

“Këto dispozita u ndërtuan pikërisht për të ndaluar ata që: përmes pozitës së tyre kanë punësuar familjarë; kanë mbajtur konkurse të mbyllura; kanë vonuar ose eliminuar kandidatë më të mirë, vetëm që të hapin vend për të vetët.” – ka thënë Sahiti, më 24.12.2025.

Për Sahitin, vendimi i Gjykatës Supreme, pavarësisht arsyetimit juridik, e zhvesh sistemin nga një mbrojtje e rëndësishme morale dhe institucionale.

“Nga sot, nepotizmi nuk ndalohet më në mënyrë preventive, por lihet në diskrecionin e individëve – pikërisht aty ku historia ka treguar se sistemi ka dështuar. Merita dhe transparenca nuk mbrohen me deklarata, por me rregulla të qarta dhe ndalesa të forta. Kur këto hiqen, hapet rruga për rikthimin e praktikave që e kanë dëmtuar rëndë universitetin publik ndër vite.” – ka shtuar ai.

Teksa ka pyetur se kë po mbrojnë më shumë – institucionin apo interesat familjare brenda tij, ai ka thënë: “Unë gjithmonë zgjedh institucionin, meritën dhe drejtësinë. Edhe kur kjo nuk është e rehatshme për dikë.”

Në paragrafin 3 të nenit 153 të Statutit të UP-së thuhet se “Nuk mund të zgjedhën (emërohen) sipas dispozitave të këtij Statuti, kandidatët që kanë të punësuar në njësinë akademike përkatëse, persona në marrëdhënie familjare.”

“Marrëdhënie familjare në kuptim të paragrafit 3 të këtij neni dhe me qëllim të parandalimit të konfliktit të interesit dhe nepotizmit konsiderohet raporti: bashkëshort ose person që bashkëjeton, i afërm në vijë të drejtë të gjakut pa kufizime, të afërm në vijë të tërthortë deri në shkallën e katërt, adaptues, të adaptuar, si dhe në gjini të krushqisë deri në shkallën e dytë.” – thuhet në paragrafin 4, neni 153 i Statutit të UP-së.

Kurse, në paragrafin 6 të nenit 7 të Rregullores së UP-së të datës 17.07.2024 është përcaktuar që: “Me qëllim të shmangies së konfliktit të interesit dhe nepotizmit, në Universitetin Prishtinës nuk mund të angazhohen kandidatët që kanë të punësuar apo të angazhuar në njësinë akademike përkatëse, persona në marrëdhënie familjare (në relacionin prind-fëmijë, vëlla-motër, motër-motër, vëlla-vëlla dhe anasjelltas).”

Gjykata ka vlerësuar se këto dispozita vendosin ndalesa absolute dhe automatike për angazhimin e kandidatëve që kanë familjarë të punësuar ose të angazhuar në njësinë akademike përkatëse, pa një vlerësim dhe identifikim konkret të konfliktit të interesit.

“Kjo qasje shkel parimet e barazisë, meritokracisë, dhe ndalimin e diskriminimit të garantuara me Kushtetutë. Duke pasur parasysh se Ligji Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë dhe Ligji Nr. 06/L -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, parashikojnë mekanizma proporcionale dhe të rastit për shmangien e konfliktit të interesit, masat e parashikuara me Statut dhe Rregullore janë jo proporcionale, jo të nevojshme dhe cenojnë të drejtat e individëve për të konkurruar dhe për të ushtruar funksione akademike.” – ka njoftuar Gjykata.

Gjithashtu, Gjykata ka konstatuar se këto dispozita bien ndesh me parimin e mundësive të barabarta për të gjithë individët për të konkurruar për pozita akademike, si dhe me parimet e meritokracisë dhe transparencës në procesin e angazhimit, të garantuara me nenin 7 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik dhe me nenin 2 të Ligjit Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë.

“Përjashtimi i automatizuar i kandidatëve për shkak të lidhjeve familjare krijon një diskriminim të drejtpërdrejtë, duke cenuar të drejtën e individit për të ushtruar funksione akademike në mënyrë të barabartë dhe sipas meritës.” – thuhet tutje në njoftim.

Gjykata ka theksuar se nepotizmi dhe konflikti i interesit nuk janë nocione identike, dhe sipas saj, ekzistenca e një lidhjeje familjare, në vetvete, nuk përbën automatikisht nepotizëm.

“Nepotizmi presupozon favorizim të padrejtë në procesin vendimmarrës, ndërsa në rastin konkret, dispozitat e kontestuara parandalojnë në mënyrë paraprake dhe absolute edhe situata në të cilat nuk ekziston asnjë ndikim real apo i mundshëm në procesin e vlerësimit.” – kanë shtuar nga Gjykata.

Në aktgjykimin e Gjykatës thuhet se UP në seancën e shqyrtimit gjyqësor kishte kërkuar që të refuzohet në tërësia padia e paditëses.

UP është arsyetuar se Statuti është miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Statuti i UP-së është i ri dhe ai u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 11.07.2024 kur kryetar i Kuvendit ishte Glauk Konjufca.

Në lidhje me arsyetimin e UP-së, Gjykata ka vlerësuar se Statuti ka karakter nënligjor sepse përcakton procedura dhe rregulla të brendshme për emërime, avancime dhe funksionim të njësive akademike, duke u bazuar në Ligjin për Arsimin e Lartë.

“Çdo dispozitë e Statutit duhet të jetë në përputhje me ligjin, dhe nuk mund të imponojë kufizime apo ndalesa që shkojnë përtej atyre të përcaktuara nga ligji. Statuti rregullon marrëdhëniet dhe procedurat brenda Universitetit të Prishtinës, duke qenë i detyruar të respektojë hierarkinë e akteve juridike.” – është potencuar në aktgjykim.

Në anën tjetër, në aktgjykim shpjegohet se paditësja kishte aplikuar në një konkurs të datës 30.05.2025 në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së për emërim asistent për bashkëpunëtor për ushtrime për lëndën Oftalmologji.

Nga vlerësimi i komisionit të Fakultetit të Mjekësisë dhe Këshilli i Fakultetit, paditësja B.P. ishte refuzuar për emërim në pozitën që kishte aplikuar.

Ajo ishte ankuar në Komisionin për Ankesa dhe Parashtresa.

“Komisioni ka trajtuar me kujdes dokumentacionin dhe ka analizuar pretendimet e ankuesit, duke konstatuar se ankesa e të përmendurit është e pabazuar dhe nuk ka gjetur shkelje që të kontestonin refuzimin e emërimit në thirrjen përkatëse.” – thuhet në aktgjykimin e Gjykatës.

Statuti i UP-së është edhe në Gjykatë Kushtetuese pasi atë e dërgoi Partia Demokratike e Kosovës (PDK) më 18.07.2024, e një ditë më pas e dërgoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), më 19.07.2024.

KALLXO.com e ka kontaktuar rektorin Arben Hajrullahu, më 23.12.2025, për të marrë një deklarim nga ana e tij në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Supreme, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

(Shënim: Artikulli është edituar, me ç’rast në vend të inicialeve është shkruar emri i plotë i paditëses. Koha e editimit: 13.03.2026, ora 18:02)