Foto: Islam Berisha/ KALLXO.com

Gërvalla: Kërkuam nga QUINT-i dhe BE një reagim më të prerë për atë se çka ndodhi në kufi të Serbisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diaporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë takuar me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e Bashkimit Europian në Kosovë në lidhje me atë se çka ka ndodhur sot në kufi me Serbinë.

Sot, më 17.04.2024, në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, u është ndaluar hyrja dhe dalja nga autoritetet kufitare të Serbisë.

Gërvalla tha se në këtë takim përveç se i kanë njoftuar ambasadorët për atë se çka ka ndodhur, kanë kërkuar edhe një reagim të qartë dhe të prerë në lidhje me këtë çështje.

“Me ministrin e Punëve të Brendshme kemi takuar ambasadorët e QUINT-it edhe përfaqësuesin e BE-së në Kosovë. I kemi informuar me aq sa kishim detaje rreth asaj se çka ndodhte në kufi të Serbisë edhe i kemi kërkuar një reagim të qartë dhe të prerë jo vetëm për të parandaluar akte të ngjashme në të ardhmen, por edhe për të demonstruar unitet mes faktorit demokratik ndaj qasjes së Serbisë që e ka treguar sot në mënyrën më të vrazhdtë dhe më të hapur”- tha Gërvalla.

“Jo vetëm që është shkelur marrëveshja e vitit 2023, por sot është shkelur edhe marrëveshja për mobilitetin e cila u ka garantuar qytetarëve që mund të kalojnë me pak rreziqe në Serbi, prandaj duhet të mbetemi të kujdesshëm dhe të përgatitur në ditët që vijojnë”- shtoi ajo.

Gërvalla tha se ky veprim i Serbisë bazohet në zhvillimet e ditës paraprake, kur më 16.04.2024 në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës delegatët kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.

“Unë jam e mendimit që një veprim i  tillë e ka një arsye që po ashtu bazohet në ditën e djeshme, jemi dëshmitarë të deklaratave kërcënuese të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq  i cili ka kërcënuar jo vetëm Kosovën por edhe partnerët dhe mbështetësit tanë që vota pozitive në Këshill do të ketë pasoja. Për shkak se dje nuk iu eci as presioni dhe propaganda në atë seancë, Vuçiq ka filluar t’i jetësojë kërcënimet e tij në këtë kontekst e shoh ndalimin e sotëm të udhëtarëve”- tha ajo.

“Nga biseda direkte që kemi pasur me udhëtarët dhe familjarët por edhe me përfaqësuesin e Kosovës në Serbi që ka qenë në vendin e ngjarjes e dimë që janë shkelur masivisht të drejtat e njeriut”- theksoi Gërvalla.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se më 16.04.2024, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, institucionet janë njoftuar që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.

Sipas MPJD-së, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, si dhe te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.

Sipas tyre, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve.

Një pjesë e autobusëve me targa të Kosovës, që ishin ndaluar nga autoritetet serbe në pikën kufitare me Kroacinë, tashmë kanë filluar që të vazhdojnë rrugën e tyre.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Jakup Berisha, kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të udhëtarëve.

Gjithashtu, kompania turistike “Zhitia Turist” ka njoftuar se në orën 15:00 janë nisur autobusët e tyre për në destinacionet përkatëse.

Bashkimi Europian është i informuar për rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritetet e Serbisë dhe është duke ndjekur situatën për së afërmi. Në këtë rast BE-ja konstaton se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje” – ka deklaruar zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Ai shtoi se BE-ja “fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe menjëherë t’i kthehet respektimit të marrëveshjes“.
Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar akuzat se ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë. Ajo shtoi se janë “duke u forcuar kontrollet kufitare”.