Gërvalla thotë se nuk ka informata nëse është liruar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është pyetur në një konferencë për media nëse është liruar zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, për të cilin gjatë ditës u raportua se është dërguar në Rashkë dhe po keqtrajtohet atje.
Gërvalla tha se ende nuk e ka konfirmuar informacionin nëse Jankoviq është liruar.
“Ende nuk e kemi informacionin e konfirmuar që zëvendësdrejtori i Policisë është liruar dhe prandaj ju lus për pak durim që në bashkëpunim me MPB-në të mund të ju japim informacionin e saktë kur edhe ta kemi verifikuar”- deklaroi Gërvalla.
“Sa i përket arrestimit të zyrtarëve policorë, numri është goxha i madh, nuk janë kufizuar në pak zyrtarë policorë, prandaj unë nuk do të doja të spekuloj në këtë moment sepse nuk dua ta shqetësoj publikun por edhe nuk dua të ju jap informacione që janë gjysmë të verifikuara. E dimë që një pjesë e madhe janë liruar mirëpo nuk jam në gjendje të ju them me emër dhe mbiemër cili prej tyre dhe në cilën situatë ndodhen”- shtoi ajo.
Jeton Zulfaj, këshilltar për çështje europiane dhe rajonale në Zyrën e Kryeministrit, ka thënë se në mesin e të ndaluarve nga autoritetet e Serbisë në pikat kufitare është edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, i cili vjen nga komuniteti serb.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se më 16.04.2024, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, institucionet janë njoftuar që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.
Sipas MPJD-së, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, si dhe te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.
Sipas tyre, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve.
Një pjesë e autobusëve me targa të Kosovës, që ishin ndaluar nga autoritetet serbe në pikën kufitare me Kroacinë, tashmë kanë filluar që të vazhdojnë rrugën e tyre.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Jakup Berisha, kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të udhëtarëve.
Gjithashtu, kompania turistike “Zhitia Turist” ka njoftuar se në orën 15:00 janë nisur autobusët e tyre për në destinacionet përkatëse.
Bashkimi Europian është i informuar për rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritetet e Serbisë dhe është duke ndjekur situatën për së afërmi. Në këtë rast BE-ja konstaton se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.
“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje” – ka deklaruar zëdhënësi i BE-së Peter Stano.