Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Jo baxhanakë të ministrave”- Gërvalla nënshkruan vendim që ndalon punësimin e familjarëve në MPJD

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka nënshkruar një vendim, i cili ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve në këtë institucion, duke ia hedhur fajin pushteteve të kaluara, që sipas saj kanë punësuar deri në katër anëtarë brenda ministrisë.

Gërvalla ka njoftuar që një vendim të tillë e ka marrë pasi që sipas saj brenda ministrisë ka pasur raste që deri në katër anëtarë nga e njëjta familje kanë qenë të punësuar në këtë institucion shtetëror.

“Është i gjatë rreshti i familjarëve të figurave politike dhe publike të punësuara në këtë ministri. I motrave dhe vëllezërve, i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave, kunatava, kunetërve dhe baxhanakëve të ministrave, deputetëve, pronarëve të mediumeve, gjyqtarëve e prokurorëve”- ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Këtë Gërvalla e ka thënë duke përmenduar që MPJD-në e ka gjetur në gjendje të mjerë dhe trajtim të pabarabartë të punëtorëve për shkak të nepotizmit, familjarizmit, e mungesës së theksuar të profesionalizmit dhe llogaridhënies.

“Vendimin e kam marrë me shumë përgjegjësi, e ndërgjegjshme që do të hasë në kundërshtime të forta nga ana e qarqeve politike dhe mediale, të mësuara me ndërhyrje të tilla, të cilat e dobësojnë shumë strukturën e ministrisë dhe vullnetin e zyrtarëve për të punuar me përkushtim”- ka shkruar Gërvalla, duke shtuar se ndaj këtij vendimi nuk ka alternativë.

Ndër tjerash, Gërvalla ka shtuar se punësimi në MPJD, rekrutimi i diplomatëve të rinj mund dhe do të bëhet vetëm duke u bazuar në meritokraci, në konkurse të hapura për të gjithë dhe të bazuara në kritere profesionale.