Regjistrimi i popullsisë, zëvendësministrja e MPJD-së: Janë regjistruar 180 mijë bashkatdhetarë

Mbi gjysmë milioni qytetarë janë regjistruar në dy javët e para në Kosovë, në procesin e regjistrimit të popullsisë, njoftoi Agjencia e Statistikave të Kosovës në një konferencë për media sot më 22.04.2024

Ndërkaq, sipas zëvendësministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, deri më tani janë regjistruar 180 mijë pjesëtarë të diasporës, 50 mijë prej të cilëve sipas saj, janë regjistruar direkt në platformën online e-diaspora.

Gashi ka folur  për formularin online dhe format e tjera fizike, që mundësojnë  regjistrimin e popullsisë për banorët që nuk janë rezidentë në Kosovë.

“Formularin online e cila është risia në kuadër të këtij regjistrimi online për herë të parë në Republikën e Kosovës dhe është forma fizike që familjarët e tyre mund ta mbushin në kuadër të regjistrimit.”

“Regjistrimi i popullsisë me inkuadrimin e diasporës edhe në formë dixhitale ofron një pasqyrë më gjithëpërfshirëse për kushtet sociale të qytetarëve tonë që jetojnë jashtë vendit”- është shprehur Gashi.

Zëvendësministrja bëri të ditur se bashkatdhetarët të cilët nuk kanë numër personal të Republikës së Kosovës, mund ta ofrojnë numrin personal të vendit ku jetojnë.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që ta regjistrojnë veten dhe familjen e tyre dhe po ashtu të adresojnë pyetje për paqartësi që mund t’i  kenë rreth platformës e-diaspsora apo edhe në kuadër të ASK-së.

Ajo ka folur edhe për ruajtjen e të dhënave personale të pjesëtarëve të diasporës gjatë regjistrimit.

“Mbrohen me ligj të Republikës së Kosovës dhe shkojnë përkitazi me ligjin për regjistrimin e popullsisë në Kosovë”- ka deklaruar Gashi.

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë ka filluar nga data 05.04.2024 dhe do të vazhdojë deri më 17.05.2024.

ASK: Deri më 21 prill janë regjistruar mbi 500 mijë qytetarë në Kosovë