Sahit Zeqiri jep dorëheqje nga pozita e drejtorit të Arsimit në Obiliq

Me vendim të kryetarit të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, është liruar nga detyra e drejtorit të Arsimit në këtë komunë, Sahit Zeqiri.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar shef i kabinetit të kryetarit në Obiliq, Burim Gërguri.

Në anën tjetër, kur është kontaktuar nga KALLXO.com, Zeqiri ka thënë se ka dhënë dorëheqje.

Sipas Gërgurit, Zeqiri është liruar nga të gjitha detyrat me datë 08.03.2024.

“Ka marrë vendim kryetari që zotëri Sahit Zeqiri është liru nga detyra e drejtorit për arsim dhe i lartpërmendur është liru nga të gjitha të drejtat e marrëdhënies së punës prej datës 08.03.2024” – ka thënë Gërguri për KALLXO.com.

Mirëpo, Gërguri nuk ka dhënë më shumë informata se përse është liruar nga kjo detyrë Zeqiri.

“Nuk e kam vendimin përpara veç e di që është nxjerr vendimi edhe është mbajt mbledhja e bordit dhe iu ka konfirmu drejtorit në fjalë për lirim nga detyra” – ka deklaruar ai.

Ndërsa, Zeqiri ka deklaruar se kjo ka ndodhur për shkak të një konkursi.

“Unë s’jam në komunë ma, jam jashtë terenit të komunës së Obiliqit, e ki atje dorëheqjen time, edhe e sheh qysh, çka” – është shprehur Zeqiri.

Ushtrues detyre i drejtorit të Arsimit është nënkryetari i komunës në Obiliq, Ibush Mjekiqi.

Sipas informatave zyrtare të Komunës së Obiliqit, Zeqiri ishte emëruar më 01.03.2022 drejtor i Arsimit.