Dështon mbledhja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, mungoi një anëtare

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka dështuar të mbajë mbledhjen e 241-të ku parashihej të zgjidhej kryesuesi dhe zëvendësi i i KPK-së.

Dështimi i mbledhjes erdhi pas mungesës së anëtares së KPK-së, Jehona Grantolli që gjë pamundësojnë kouorumin për vazhdimin e mbledhjes.

Grantolli ka njoftuar se gjendet në pushim vjetor, përderisa kryesuesi i tanishëm i këshillit, Jetish Maloku tha se nuk kanë pranuar ndonjë vendim për pushimin e anëtares.

“Pas dërgimit të ftesës, jemi informuar nga një anëtar që gjendet në pushim vjetor deri më 26 janar të këtij viti. Pra asnjë vendim ne nuk e kemi, as administrata deri më tani nuk kemi pranuar një vendim paraprak për pushim. Dështimi për të marrë pjesë në veprimtarin e Këshillit pa arsye të vërtetuar normal që sjellë edhe përgjegjësi për neve”- tha Maloku.

“Është përgjegjësi e çdo anëtari që eventualisht të mos i përgjigjet ftesave të Këshillit Prokurorial të Kosovës, aq më tepër kur këtë e rregullojnë dispozitat ligjore dhe dispozitat ligjore që dalin nga aktet e brendshme. Ky Këshill duhet ta mbajë përgjegjës secilin nga ne anëtarët e këtij Këshilli që nuk i kryejmë këto detyra dhe këto obligime që kemi në raport me Këshillin Prokurorial të Kosovës”- shtoi Maloku.

Mbledhja e radhës për këtë rast u caktua të mbahet me 30 janar të këtij viti.

Pikat e rendit të ditës për këtë mbledhje ishin këto:

1. Miratimi i rendit të ditës;
2. Procesverbali i takimit 238-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës;
3. Procesverbali i takimit 239-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës;
4. Zgjedhja e Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës;
5. Zgjedhja e Zëvendës Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës;
6. Të ndryshme.