Projektligji për KPM-në pritet të diskutohet në mbledhjen e sotme të Komisionit parlamentar

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal në mbledhjen e sotme si pikë të rendit të ditës e ka paraparë të diskutojë për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Ky projektligj në mesin e risive të tij, synon që video dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Kjo çështje ka ngjallur reagime të shumta nga sfera e mediave në vend, e ishte parë si sulm i qeverisë kundrejt mediave.

“Çfarë kemi parë deri më tani është iniciativa e Zyrës së Kryeministrit për të kontrolluar mediat. Është sulmi i radhës ndaj mediave. Projektligji është vazhdimësi e qasjes armiqësore e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, ndaj mediave dhe gazetarëve dhe tentativës së vazhdueshme për t’i disiplinuar ato”- kishte deklaruar Flutura Kusari, juriste e të drejtës së mediave në një konferencë për këtë rast.

Në #KallxoPernime, më 3 shkurt është transmetuar emisioni në të cilin u diskutua për këtë Projektligj.

Valon Ramadani, nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili është kryetar i Komisionit që do ta trajtojë sot këtë çështje, i ftuar në këtë emision kishte thënë se ndjehet i gëzuar se ka shkuar ky projektligj në Kuvend dhe se AGK dhe KMSHK kanë bërë disa huqje.

“Po flasim për lajmin kryesor, për ligjin për KPM-në. Unë jam i gëzuar që më 15 janar ka ardhur projektligji për KPM-në, ky ligj është në harmoni me direktivën dhe është direktivë e Bashkimit Evropian”- kishte thënë Ramadani.

Sipas Ramadanit, AGK dhe KMSHK kanë bërë disa huqje gjatë konferencës për media. Ai tha se mediat nuk do të licencohen sipas ligjit të ri por do të regjistrohen vullnetarisht.

Mbledhja e sotme e Komisionit do të fillojë në ora 11:00.

Ndryshimet lidhur me projektligjin në fjalë mund t`i lexoni duke klikuar këtu.