(Ilustrim) - Foto: Screenshot
Sa kërkuan dhe sa iu dha buxhet KGJK-së për këtë vit?
Në mbedhjen e sotme të Këshillit Gjyqësor, ndër të tjera u prezantua edhe ndarja buxhetore për këtë institucion për vitin 2024.
Buxheti total i Këshillit për këtë vit është 35,806,910 euro.
Për këtë shumë u tha se është 4.83% më e lartë se buxheti i vitit 2023.
Por, kjo shumë është disa milionë më e vogël se ajo që e kanë kërkuar me një diferencë më shumë se 5 milionë euro.
Këshilli Gjyqësor nga ndarja buxhetore kishte kërkuar shumën prej 41,651,282 euro.
“E kemi thënë disa herë, i kemi 2321 pozita të lejuara, nëse i plotësojmë këto pozita, buxheti nuk do të jetë i mjaftueshëm, pra ato janë pozita të lejuara por jo të buxhetuara”- u tha në këtë mbledhje të KGJK-së.
Tutje, u theksua se mungesat buxhetore ndikojnë direkt në performancën e sistemit gjyqësor, dhe pavarësia e gjyqësorit mund të jetë e plotë vetëm kur ka pavarësi financiare.
Në këtë mbledhje u prezantua dhe diskutua edhe performanca e gjykatave themelore të vendit, Supremes, Apelit, dhe Komerciales.
Përveç gjykatave, dhanë raportet e tyre edhe Paneli i Lirimit me Kusht lidhur me kërkesat e shqyrtuara nga ky organ për lirim me kusht të të dënuarëve.
Tutje, u prezanua edhe puna e Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas Raporti vjetor 2023 të këtij komisioni, u prezantua numri i lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar në gjykatat e vendit.
Gjykata e Prishtinës, sipas këtij raporti, është me numrin më të lartë të lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me gjithsej 211 lëndë të pazgjidhura.
Ndër pikat tjera të rendit të kësaj mbledhje ishin Raportimi nga Departamentet Speciale të Gjykatave Themelore dhe asaj të Apelit për punën e tyre gjatë vitit të kaluar.
Në këtë mbledhje është miratuar edhe plani i punës për vitin 2024 për të gjitha Gjykatat.