Mungojnë deputetët e LVV-së, dështon mbledhja e Komisionit parlamentar për hetime në MPJD

Në mungesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje ka dështuar mbledhja e Komisionit hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Deputetja Time Kadrijaj (AAK), kryetare e Komisionit u shpreh se të gjithë kanë qenë të njoftuar për këtë mbledhje, por se nuk kanë marr arsye për mungesën e tyre.

“Po shihet se nuk kemi kuorum. Të gjithë e kanë marrë informacionin edhe përmes email. Nuk kemi marrë arsye pse nuk kanë ardhur, përpos deputetes Ariana Musliu- Shoshi që ka thënë se mungon për shkak të një aktiviteti. Sot është deshtë ta diskutojmë ketë draft të punës së komisionit. Në mungesë kuorumi duhet ta mbyllim”- u shpreh ajo.

Ndërsa deputeti Hisen Berisha nga PDK potencoi se duhet të dihet se kush po i saboton këto mbledhje.

“Të mos shkohet në mbledhje që dështojnë çdo ditë. Le të dihet kush po i saboton”- u shpreh Berisha.

Mungesa e kourumit në komisionet parlamentare dhe gjatë procesit të votimeve në Kuvend është bërë dukuri e shpeshtë në këtë legjislaturë.