Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Aktakuzat voluminoze për krime lufte kanë ngarkuar Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës

Valon Kurtaj, udhëheqës i Departamentit Special në Gjykatën e Prishtinës ka prezantuar para Këshillit punën e këtij Departamenti për vitin 2023.

Ky është departament në të cilin gjykohen aktakuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale për krime lufte dhe disa raste të korrupsionit.

Kurtaj tha se ngritja e aktakuzave për krime lufte në muajin e fundit të vitit 2023 ka ndikuar në statistikat e efikasitetit të këtij Departamenti, për shkak të volumit dhe kompleksitetit të tyre, por që përfundimisht për këtë vit është arritur të përmbushet Plani i Punës, në të cilin parashihej kryerja e 60 lëndëve dhe rritja e efikasitetit prej 10%.

“E kemi përmbushur planin e veprimit për këtë vit, si dhe efikasiteti i paraparë që të rritej për 10%, është ngritur për 18%” – tha Kurtaj para Këshillit.

Ai shtoi se gjatë vitit 2023 janë përfunduar 50% të lëndëve të vitit 2022.

Qëllimi i këtij departamenti për vitin 2024, sipas tij është përfundimi i një rasti brenda 2 vitesh.

Kryetarja e Gjykatës Themelore, Albina Shabani – Rama është duke prezantuar para Këshillit Gjyqësor punën e kësaj gjykate për vitin 2023, përfshirë sfidat dhe efikasitetin e departamenteve të kësaj Gjykate.

Kryetarja Rama tha se efikasiteti i departamenteve për lëndët e kryera është si vijon:

Departamenti për Krime të Rënda – 123.3%

Departamenti për të Mitur – 130.7%

Departamenti Administrativ – 105%

Divizioni Penal – 97.48%

Divizioni Civil – 76.7%

Kryetarja theksoi edhe bartjen e 13 lëndëve nga Gjykata e Mitrovicës në Gjykatën e Prishtinës.

Ajo shtoi se janë bërë Plane të Veçanta të Punës në trajtimin e lëndëve nga Dhuna në Familje dhe raste të të Miturve.